Spiropali: Sekreti i fitoreve të PS-së janë gratë


Ministrja Elisa Spiropali ka qenë një nga zërat më aktivë të Partisë Socialiste gjatë takimeve elektorale të ditëve të fundit, ku ka theksuar rolin e grave dhe vajzave në suksesin e PS-së dhe në projektin për Shqipërinë Europiane.

Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat socialiste në Tiranë, Spiropali u shpreh se “sekreti i fitoreve të PS-së janë gratë”, duke ironizuar opozitën dhe deklaruar se për herë të parë bie dakord me ata që thonë se “nuk mundet dot Edi Rama”.

Ajo vlerësoi transformimin e Kamzës si një arritje të rëndësishme të qeverisë dhe u shpreh e bindur se në Tiranë PS do të fitojë të paktën 19 mandate. Ministrja u ndal edhe te përfaqësimi gjinor, duke theksuar se “50% e këshilltarëve bashkiakë janë gra”, një dëshmi sipas saj e përkushtimit të PS-së për barazi dhe përfshirje.

Në mesazhin e saj politik, Spiropali nënvizoi se misioni i radhës për socialistët është “gara për Shqipërinë europiane”, duke i bërë thirrje grave që të jenë në vijën e parë të këtij rrugëtimi.