Bardhi “kërcen” me të rinjtë në Lushnjë: Këtu vallëzohet nga shpresa, jo nga halli!


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe drejtuesi politik në Qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka ndarë në rrjetet sociale një video nga një aktivitet me të rinjtë në Lushnje, duke e shoqëruar me një thumb të drejtpërdrejtë ndaj mazhorancës: “Kërcime, por jo nga belaja!”

“Festojmë për Shqipërinë Madhështore që po vjen pas 11 Majit!” – shkruan Bardhi, duke nënkuptuar optimizëm për një ndryshim të afërt politik.

Postimi i tij duket se është një përgjigje ironike ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila u pa duke kërcyer në Sheshin Skënderbej gjatë hapjes zyrtare të fushatës së Partisë Socialiste.

Ndërkohë që PS nisi sot zyrtarisht garën zgjedhore për 11 majin, një ditë më parë demokratët dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” hapën fushatën nga sheshi “Nënë Tereza”, me praninë e drejtuesit amerikan të fushatës, Chris LaCivita.