Koalicioni Euroatlantik çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Në një aktivitet të mbajtur në një ambient privat, drejtuesi politik i koalicionit, Lulzim Basha, prezantoi mesazhin e tij elektoral për ndryshim dhe integrim europian.
Në krah të Bashës ishte Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum – zëdhënës për çështjet europiane i CDU-së në Bundestag, një forcë e rëndësishme e qendrës së djathtë gjermane që ka kontribuar në hartimin e programit të Koalicionit Euroatlantik.
Në fjalën e tij, Basha u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin alternativën e re për të ndëshkuar, sipas tij, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga qeveria aktuale. “Në 11 maj, le të rrinë në shtëpi të korruptuarit e Edi Ramës, koalicioni ynë është alternativa,” u shpreh ai.
“Ju premtoi ndryshim në 2013, dhe ju solli Ilir Metën, Saimir Tahirin.
Një tufë deputetësh që u larguan nga ligji për dekriminalizimin, për faktin se ishin të dënuar për vepra të rënda penale.
Ju solli në 2017 Ilir Beqajn kur ju kishte premtuar shëndetësi falas. Ju solli në 2021 inceneratorët me Lefter Kokën, me Erion Veliajn dhe me një tufë kryebashkiakësh nga Vangjush Dako me shokë, të cilët vodhën taksat e shqiptarëve, helmuan ajrin e shqiptarëve.
Ky është Edi Rama, socialistët e ndershëm e besuan dhe e panë me sytë e tyre se çfarë solli: kriminelë, hajdutë. Edhe tani kërkon dhe 4 vite të tjera, kur gjysmën e shokëve i ka te 7×7-313.
Rrugëtimi i një njeriu që premtoi shpresë, ndryshim, progres, por solli korrupsion. Solli rekordin e gjysmës së kabinetit.
Solli më shumë dështime drejt rrugës për BE-në. Në 11 maj le të rrinë të korruptuarit e Edi Ramës, le të rrinë ata që sollën krim dhe korrupsion në shtëpi.
Në 11 maj çdo shqiptar e ka alternativën, e ka koalicionin Euroatlantik, ekipin tonë të mrekullueshëm.”-tha Basha.