Benet Beci: Vota për Ramën do ta çojë Shkodrën 2030 në BE


Drejtuesi politik i PS në Shkodër, Benet Beci, ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale, duke theksuar se vota për Edi Ramën është një votë për vazhdimin e transformimit të Shkodrës.

Në një postim në Facebook, Beci theksoi se Shkodra ka marrë një rol kyç si një nyje strategjike infrastrukturore dhe ekonomike, falë projekteve konkrete të qeverisë dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian. Ai renditi investimet në rrugët e reja, përmirësimin e infrastrukturës urbane, dhe projekte të rëndësishme në fushat e energjisë, arsimit, turizmit dhe pastrimit të liqenit.

“Pasaporta evropiane është misioni i kësaj fushate,” shtoi Beci, duke theksuar se synimi është Shkodra 2030 brenda BE. Ai po ashtu theksoi se shumica e projekteve realizohen me fonde të huaja dhe se lista e kandidatëve për deputetë përfaqëson gjeneratën e re të profesionistëve shkodranë.

Përfundoi mesazhin me një thirrje për mbështetje: “Me Edin dhe Partinë Socialiste, hapi ynë tjetër është Europa – për Shkodrën dhe për Shqipërinë.”