Berisha: E kemi programin aq të mirë sa po na i kopjon PS-ja


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në prezantimin e programit elektoral të PD në Pallatin e Kongreseve, gjatë Kuvendit Kombëtar të kësaj force politike.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se projekti i PD është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke e cilësuar si më të mirin që ka pasur vendi në 34 vitet e fundit.

Ai po ashtu përmendi se madje edhe Partia Socialiste, që ka qeverisur për shumë vite dhe është njohur për mashtrimet dhe vjedhjet, tani po e vlerëson dhe përpiqet ta kopjojë programin e PD.

Në një krahasim me industrinë e teknologjisë, Berisha iu referua Nokia dhe Apple. Sipas tij, Nokia, e cila arriti kulmin e saj, dështoi kur tentoi të kopjonte iPhone, ndërsa Apple vazhdoi të përmirësojë produktin e saj dhe arriti suksesin më të madh.

Berisha dënoi qeverisjen e Edi Ramës, duke e konsideruar projektin e tij si një tentativë për vjedhje dhe mashtrim. Ai theksoi se kopjet nuk mund të kenë sukses dhe vetëm projekti i PD ofron një të ardhme të qëndrueshme dhe me vlera të vërteta për qytetarët shqiptarë.