“Çizmja e Ballukut si çizme pushtuesi” – Gaz Bardhi reagon pas investigimit të Piranjave


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje nga emisioni “Piranjat”, ku shfaqen autobusë të mbushur me qytetarë të sjellë nga qarku i Fierit për të marrë pjesë në një miting elektoral të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson këtë si një “krim elektoral”, duke akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku për shantazh dhe përdorim të paligjshëm të administratës shtetërore.

“T’u premtosh njerëzve vende pune në këmbim të votës, është krim elektoral! Shikoni kameran e fshehtë që emisioni “Piranjat” ka realizuar sot me autobuzat e sjellë nga qarku Fier për të mbushur sheshin bosh të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Janë dëshmi që SPAK-u nuk mund t’i injorojë!

Keqardhje për SPAK-un që nuk arrin të zbulojë as sa “Piranjat” nga krimet elektorale që po kryhen në qarkun e Fierit, në drejtimin e Belinda Ballukut! Jo vetëm metodat e paligjshme në shkelje të ligjit elektoral nga Balluku por sidomos arroganca e saj në komunitet dhe me vetë socialistët, janë për nga lloji të ngjashme me çizme pushtuesish! Fieri dhe administrata publike do të çlirohet nga kjo më 11 Maj!!”, ishte reagimi i Bardhit.