Erisa Xhixho denoncon ndotjen e ujit të pijshëm në Tiranë: Skandal në Komunën e Parisit, qytetarët të alarmuar


Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ndaj situatës së krijuar me furnizimin me ujë të pijshëm në Tiranë, duke denoncuar ndotjen që ka prekur veçanërisht zonën e Komunës së Parisit.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho thotë se banorët i janë drejtuar me shqetësime për ujin me ngjyrë dhe erë të rëndë, i cili ka qenë i papërdorshëm për më shumë se 24 orë.

Ajo thekson mungesën totale të transparencës nga institucionet për shkaqet e ndotjes, duke u shprehur se paniku është përhapur tek qytetarët që nuk kanë pasur as mundësinë minimale për të përdorur ujin në shtëpi.

“Skandali është edhe më i madh kur kujton se kjo ndodh në ditën që partia në pushtet çel fushatën elektorale, ndërsa 12 vite më parë premtonte ujë 24 orë në ditë. Sot qytetarët jo vetëm që nuk kanë ujë të pijshëm, por përballen edhe me ndotje alarmante”, deklaron Xhixho.

Ajo e mbyll reagimin e saj duke u bërë thirrje qytetarëve që më 11 maj t’i japin fund, siç e cilëson ajo, “qeverisë së mashtrimeve”, duke votuar për Aleancën për Shqipërinë Madhështore.