Flamur Noka: Fushata e PS është kthyer në një “gjiriz”, PD ofron zgjidhje dhe shpresë për qytetarët


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka marrë pjesë në prezantimin e programit elektoral të PD gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Në fjalën e tij, Noka sulmoi ashpër mënyrën si Partia Socialiste çeli fushatën, duke e quajtur atë një “gjiriz propagandistik” që, sipas tij, pasqyron realitetin e një qeverisjeje të korruptuar.

Noka akuzoi kryeministrin Edi Rama si “kryemiun” e një sistemi që ka degraduar në krim, drogë dhe korrupsion. Ai theksoi se në vend të ofertave konkrete për qytetarët, PS ofron spektakël dhe arrogancë, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike dhe pasiguri.

“Fushata e tyre ishte një poshtërim për shqiptarët – një valle hajdutësh që nuk foli asnjë fjalë për hallet e njerëzve”, tha ai.

Në kundërpërgjigje, Noka theksoi se Partia Demokratike po hyn në garë me një program të qartë, të ndërtuar mbi hallet reale të qytetarëve dhe mbi nevojën për ndryshim pas qeverisjes së gjatë të Ramës. Ai deklaroi se PD është alternativa e vetme që mund t’i japë vendit shpresë dhe drejtim të ri.

Duke folur për sfidat që ka kaluar PD, Noka kujtoi përballjen me një “komplot të gjerë”, duke përmendur figura ndërkombëtare si George Soros, Anthony Blinken dhe Yuri Kim, përveç kundërshtarëve të brendshëm si Edi Rama. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se Sali Berisha dhe ekipi i tij kanë dalë më të fortë dhe më të vendosur për të udhëhequr një ndryshim të vërtetë.

Në fund, Noka u shpreh se më 11 maj qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes “valltarëve të korrupsionit” dhe një alternative që u jep zë dhe shpresë të gjithë shqiptarëve.