Izraeli zgjeron ofensivën në Gazë, shpall zona të reja sigurie dhe urdhëron evakuime masive


Ministri i Mbrojtjes së Izraelit ka njoftuar se ushtria izraelite do të “zgjasë me vrull” ofensivën në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës në ditët në vijim.

Ai gjithashtu deklaroi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë përfunduar marrjen nën kontroll të një “zone sigurie” në pjesën jugore të Gazës, që ndan qytetet Rafah dhe Khan Younis.

Ushtria izraelite lëshoi gjithashtu urdhra evakuimi për Khan Younis dhe zonat përreth, duke paralajmëruar se do të ndërmerrte sulme në përgjigje të projeksileve të lëshuara nga Gaza, për të cilat përgjegjësinë e mori Hamasi.

Izraeli rifilloi ofensivën kundër Hamasit më 18 mars, pas shpërbërjes së një armëpushimi dy-mujor. Që nga ajo kohë, ushtria izraelite ka marrë nën kontroll zona të mëdha të Gazës, duke zhvendosur sërish qindra mijëra palestinezë.

Ushtria tashmë ka pushtuar tokën përgjatë të gjitha kufijve të Gazës, duke e cilësuar atë si një “zonë bufer” për të parandaluar sulmet.

Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se qëllimi i ofensivës është të ushtrojnë presion mbi Hamasin për lirimin e 59 pengjeve të mbetura në Gaza – 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Të shtunën, Katz njoftoi se IDF ka përfunduar marrjen e kontrollit të “boshtit Morag” – një ish-njësi e banuar hebraike midis Rafahut dhe Khan Younisit.

“IDF tani ka përfunduar marrjen nën kontroll të boshtit Morag, i cili kalon Gazën ndërmjet Rafahut dhe Khan Younisit, duke bërë që e gjithë zona midis boshtit Filadelfia dhe Moragut të jetë pjesë e zonës së sigurisë izraelite,” tha ai.

Kjo lëvizje e bën që qyteti jugor Rafah të jetë i shkëputur nga Khan Younis. Rafah përbën pothuajse një të pestën e territorit të Gazës.

Katz paralajmëroi gjithashtu se “aktiviteti i IDF do të zgjerohet me vrull edhe në vende të tjera në pjesën më të madhe të Gazës,” dhe banorët në këto zona “do të duhet të evakuohen nga zonat e luftës”.

“Kjo është momenti i fundit për të eliminuar Hamasin, për të liruar pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës,” tha ai.

Ai shtoi se edhe në veri të Gazës – përfshirë qytetin Beit Hanoun dhe Korridorin Netzarim që e përshkon Gazën në qendër – po kryhen evakuime me qëllim zgjerimin e zonës së sigurisë edhe atje.

Kur u pyet për koment, IDF i referoi BBC-së ministrinë izraelite të mbrojtjes.

Hamasi, sipas agjencisë AFP, deklaroi se ofensiva “vret civilë të pambrojtur” dhe e bën të pasigurt fatin e pengjeve.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së paralajmëroi muajin e kaluar se urdhrat e evakuimit nuk përputhen me të drejtën ndërkombëtare, duke akuzuar Izraelin se nuk ka marrë masa për të siguruar strehim, kushte të mjaftueshme higjienike, shëndetësore dhe ushqimore për të evakuuarit.

Qeveria izraelite u përgjigj se evakuimi i civilëve ka për qëllim t’i mbrojë ata nga rreziku dhe nga përdorimi si “mburoja njerëzore” nga Hamasi – në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Pas njoftimit të Katz-it, ushtria izraelite lëshoi urdhër evakuimi për qytetarët në Khan Younis dhe rrethinat e saj, pasi u përgatit për t’iu përgjigjur projeksileve të lëshuara nga Gaza më herët të shtunën. IDF tha se sistemet e saj mbrojtëse kanë kapur tre projeksile të lëshuara drejt territorit izraelit – një sulm për të cilin përgjegjësinë më vonë e mori krahu ushtarak i Hamasit. Nuk u raportuan të lënduar.

Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, deri në orën 13:00 të së shtunës, 21 persona janë vrarë dhe 64 janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtria izraelite nisi ofensivën për të shkatërruar Hamasin pas sulmit të paprecedentë të 7 tetorit 2023, në të cilin rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, më shumë se 50,933 persona janë vrarë që nga ajo kohë – përfshirë 1,563 që nga rifillimi i ofensivës më 18 mars.