PS hap fushatën, Klosi: Rama, vizionar që shndërroi Shqipërinë në një vend të gatshëm për të hyrë në BE


Nga sheshi “Skënderbej” në Dibër, ku u çel fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit, drejtuesi politik i qarkut, Blendi Klosi, deklaroi me bindje se Partia Socialiste do të triumfojë edhe këtë herë.

Klosi theksoi se PS është një forcë politike që ka kaluar shumë sfida ndër vite, por sfida më e madhe mbetet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht për PS-në dhe Edi Ramën, duke e cilësuar këtë si një garanci për integrimin evropian të vendit.

“Të partisë mbi 100 mijë anëtarë, që merr 1 mln vota në veri e jug, në diasporë po ashtu, e cila fiton zgjedhjet sepse ju ka të gjithë ju me vete.

Të partisë që drejtohet nga Rama, vizionari, që shndërroi Shqipërinë në një vend të gatshëm për të hyrë në BE.

Mirë se keni ardhur në këtë shesh të madh, simbol i transformimit të Shqipërisë Evropiane. Erdhëm këtu me vallet dhe harenë e Dibrës, ashtu siç pritëm Ramën kur inauguroi rrugën e Arbrit.

Ne jemi parti e madhe që kemi kaluar sfida, por sfidën më të madhe e kemi me mirëqenien e qytetarëve.

Të sigurt se do të fitojmë përsëri, qarku i Dibrës do të shndërrohet si gjithë Shqipëria, që do të votojë masivisht PS.

Ka një lider që atë që premton e bën, na ka premtuar të gjithë ne socialistëve dhe shqiptarëve se do të jemi pjesë e BE brenda këtij mandati. Prandaj të votojmë masivisht Ramën dhe PS.”, tha Klosi.