Shpërthim në qendër të Athinës, pajisja ishte vendosur në një skuter pa targa


Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qendër të Athinës, pranë zyrave të kompanisë hekurudhore greke, Hellenic Train. Ngjarja ndodhi pranë autostradës së njohur Leoforos Andrea Siggrou, një nga akset më të ngarkuara të kryeqytetit grek.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë (CCTV), shpërthimi u shkaktua nga një çantë shpine e lënë jashtë godinës. Policia bëri të ditur se kishte marrë më herët telefonata anonime në disa media greke, ku paralajmërohej për një sulm të mundshëm.

Ministri grek i Transportit, Christos Staikouras, e dënoi incidentin, duke e cilësuar si një “akt kriminal” që “ka rrezikuar jetën e qytetarëve”. 

Mediat lokale greke kanë publikuar detaje të reja lidhur me shpërthimin që ndodhi pranë zyrave të kompanisë Hellenic Train në qendër të Athinës.

Sipas burimeve nga gazeta e përditshme Efsyn dhe portali Zougla, një telefonatë anonime ka paralajmëruar shpërthimin, ndërsa raportohet se pajisja shpërthyese ishte vendosur brenda një çante shpine të mbyllur, e cila ndodhej mbi një skuter pa targa.

Skuadra speciale e policisë për çmontimin e bombave mbërriti në vendngjarje, por nuk arriti në kohë për të neutralizuar mjetin shpërthyes, i cili shpërtheu para se të mund të asgjësohej në mënyrë të sigurt.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit i Greqisë, Christos Staikouras, e dënoi ashpër aktin, duke e cilësuar si një “akt kriminal, absolutisht të dënueshëm”.

“Ky është një akt kriminal, i cili rrezikoi jetën e njerëzve – punonjësve dhe kalimtarëve – në një zonë qendrore të Athinës dhe në orët e pikut të trafikut”, u shpreh ai në një deklaratë për mediat.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm./BBC