Studimi zhvillon një test gjaku që zbulon Parkinsonin para simptomave


Studiuesit kanë zhvilluar një test gjaku të thjeshtë dhe “me kosto të ulët” që është në gjendje të zbulojë sëmundjen e Parkinsonit shumë kohë përpara se të shfaqen simptomat, sipas një studimi të fundit të përcjellë nga The Guardian. Rreth 153,000 persona jetojnë me Parkinson në Mbretërinë e Bashkuar, dhe shkencëtarët që kryen kërkimin thanë se ky test mund të “revolucionarizojë” diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, “duke hapur rrugën për ndërhyrje në kohë dhe përmirësim të rezultateve për pacientët”.

Parkinsoni është një sëmundje neurologjike progresive, ku qelizat nervore në tru humbasin gradualisht, çka çon në një reduktim të dopaminës – një substancë kimike që luan rol të rëndësishëm në kontrollin e lëvizjes.

Ky test i ri, që sipas gazetës The Times kushton 80 £, analizon fragmente të vogla të materialit gjenetik të njohura si fragmente të transfer RNA-së (tRFs) në gjak, duke u përqendruar në një sekuencë të përsëritur RNA-je që grumbullohet te pacientët me Parkinson. Ai gjithashtu shqyrton një rënie të paralelshme të RNA-së mitokondriale, e cila përkeqësohet me përparimin e sëmundjes. Mitokondritë ndodhen brenda qelizave dhe gjenerojnë energji.

Duke matur raportin mes këtyre biomarkerëve, studiuesit thanë se testi “ofron një mjet diagnostikues jashtëzakonisht të saktë, jo invaziv, të shpejtë dhe të përballueshëm, duke ofruar shpresë për ndërhyrje të hershme dhe trajtime që mund të ndryshojnë rrjedhën e sëmundjes”.

Në një shkallë ku vlera 1 tregon një test të përsosur dhe 0.5 do të thotë se testi nuk është më i mirë se hedhja e monedhës, testi mori një vlerësim prej 0.86, raportoi The Times. Ndërkohë, testet klinike më të mira të përdorura aktualisht për pacientët me shenja të hershme të sëmundjes kanë një rezultat prej 0.73, sipas studimit të botuar në revistën Nature Aging.

Testi përdor të njëjtën teknologji PCR që u përdor gjerësisht gjatë pandemisë për të konfirmuar rastet me Covid. Ai funksionon duke amplifikuar materialin gjenetik që synohet, duke e bërë të mundur zbulimin e tij.

“Kjo zbulim përfaqëson një përparim të madh në kuptimin tonë për sëmundjen e Parkinsonit dhe ofron një test të thjeshtë gjaku, minimalisht invaziv, si një mjet për diagnostikim të hershëm,” tha Prof. Hermona Soreq nga Universiteti Hebraik i Jeruzalemit, e cila mbikëqyri studimin. “Duke u fokusuar te tRF-të, kemi hapur një dritare të re në ndryshimet molekulare që ndodhin në fazat më të hershme të sëmundjes.”

Prof. David Dexter, drejtor i kërkimeve në Parkinson’s UK, tha: “Ky kërkim përfaqëson një këndvështrim të ri në kërkimin për një biomarker biologjik të Parkinsonit. Në këtë rast, markeri mund të identifikohet dhe matet në gjak, çka e bën atë tërheqës për një test diagnostikues miqësor për pacientët në të ardhmen.”

“Nevojitet më shumë punë për të vazhduar testimin dhe validimin e këtij testi të mundshëm, veçanërisht për të kuptuar se si mund të dallojë mes sëmundjeve të tjera që kanë shenja të ngjashme me ato të Parkinsonit në fazat e hershme.”

Studimi u udhëhoq nga studenti i doktoraturës Nimrod Madrer nën mbikëqyrjen e profesoreshës Soreq në Qendrën Edmond dhe Lily Safra për Shkencat e Trurit dhe Institutin Alexander Silberman për Shkencat e Jetës në Universitetin Hebraik, në bashkëpunim me Dr. Iddo Paldor nga Qendra Mjekësore Shaare Zedek, dhe Dr. Eyal Soreq nga Universiteti i Surrey dhe Imperial College London.