Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të përjashtojë telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe pajisje të tjera elektronike nga tarifat e reja të vendosura ndaj importeve kineze, përfshirë tarifën 125% të aplikuar ndaj mallrave të caktuara nga Kina, përcjell BBC.
Shërbimi Doganor dhe Kufitar i SHBA njoftoi të premten mbrëma se këto produkte do të përjashtohen si nga tarifa 10% që SHBA aplikon globalisht, ashtu edhe nga tarifa më e lartë ndaj importeve kineze.
Ky vendim vjen pas shqetësimeve të kompanive teknologjike amerikane, të cilat paralajmëronin rritje të fortë të çmimeve për konsumatorët, pasi pjesa më e madhe e pajisjeve prodhohen në Kinë. Analistët e kanë cilësuar këtë si një “ndryshim loje” për industrinë.
Përjashtimi, i cili hyn në fuqi në mënyrë retroaktive nga 5 prilli, përfshin gjithashtu komponentë elektronikë si çipat, qelizat diellore dhe kartat e memories.
“Ky është një skenar ëndrrash për investitorët e teknologjisë,” tha Dan Ives nga Wedbush Securities, duke theksuar se përjashtimi i çipave dhe telefonave do të ketë ndikim të madh. Kompanitë e mëdha si Apple, Nvidia dhe Microsoft, si dhe gjithë sektori teknologjik, mund të marrin frymë lirisht, shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se përjashtimet janë bërë për t’u dhënë kompanive më shumë kohë që të zhvendosin prodhimin drejt SHBA-së.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se SHBA nuk mund të mbështetet më tek Kina për prodhimin e teknologjive kritike si çipat, telefonat dhe laptopët. Kompanitë janë urdhëruar të rikthejnë prodhimin brenda vendit sa më shpejt të jetë e mundur.”
Pavarësisht përjashtimeve, këto pajisje mbeten subjekt i tarifës 20% që SHBA ka vendosur ndaj Kinës për çështjen e trafikut të fentanylit.
Sipas disa vlerësimeve, çmimi i një iPhone në SHBA mund të trefishohej nëse kostot e tarifave do të transferoheshin te konsumatorët. Rreth 80% e iPhone-ve të destinuar për tregun amerikan prodhohen aktualisht në Kinë, ndërsa 20% në Indi. Apple dhe kompani të tjera si Samsung po përpiqen të diversifikojnë zinxhirët e furnizimit, me Indinë dhe Vietnamin si destinacione të reja prodhimi.
Këto zhvillime vijnë ndërsa Trump kishte paralajmëruar një valë të re tarifash globale këtë javë, por më pas vendosi një pezullim 90-ditor për shumicën e vendeve, përveç Kinës, për të cilën rriti tarifat në 145%, si kundërpërgjigje ndaj masave të Pekinit.
Trump ka argumentuar se tarifat do të ndihmojnë në rivendosjen e drejtësisë në tregtinë ndërkombëtare dhe kthimin e vendeve të punës në SHBA.