Policia e Lezhës ka zbardhur plotësisht konfliktin e ndodhur mesditën e 11 prillit në qytetin e Lezhës, ku pas një përplasjeje fizike mes disa personave, u arrestuan dy shtetas dhe katër të tjerë u shpallën në kërkim.
Të arrestuarit, F. Gj. (34 vjeç) dhe E. N. (37 vjeç), akuzohen për plagosje të rëndë me dashje në bashkëpunim, ndërhyrje në zbardhjen e të vërtetës dhe prishje të qetësisë publike. Katër personat në kërkim janë të moshës 15 deri në 20 vjeç.
Ngjarja nisi kur F. Gj. dhe E. N. goditën me mjete të forta shtetasin R. M., i cili së bashku me tre të tjerë u kundërpërgjigj duke përplasur me makinë dhe më pas goditur fizikisht njërin nga sulmuesit.
Njoftimi:
Lezhë
Zbardhet dinamika e konfliktit të ndodhur mesditën e djeshme në Lezhë.
Identifikohen shtetasit e përfshirë në konflikt, dy prej tyre janë arrestuar ndërsa katër shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë , Njësia Shkodër, ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur, mesditën e datës 11.04.2025, në qytetin e Lezhës.
Fillimisht u raportua për një përplasje fizike mes dy shtetasve, por pas hetimeve të thelluara, kqyrjes së pamjeve filmike dhe grumbullimit të provave, veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i të gjithë personave të përfshirë në një konflikt për motive të dobëta.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, të dy banues në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë:
* F. Gj., 34 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
* E. N., 37 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Si dhe u shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja qetësisë publike”, shtetasit: R. M., 20 vjeç, banues në Tale, K. N., 20 vjeç, A. D., 15 vjeç dhe A.M., 17 vjeç.
Më datë 11.04.2025, në orën 12:02, në qytetin e Lezhës, shtetasit F. Gj., dhe E. N., kanë goditur me mjete të forta shtetasin R. M., ku më pas shtetasi R. M., bashkë me tre shokët e tij, (të 4 të shpallur në kërkim) kanë goditur me automjet shtetasin F. Gj., dhe më pas e kanë goditur me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Policia e Lezhës vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.