Një gjykatës federal ka urdhëruar administratën Trump të zhbllokojë fondet federale për një program ushqimor për fëmijët në shtetin e Maine, të cilat ishin pezulluar për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pjesëmarrjen e atletëve transgjinorë në sportet shkollore.
Gjykatësi i Distriktit, John Woodcock, dha të premten një urdhër të përkohshëm ndalues pas një padie të ngritur nga shteti i Maine kundër Departamentit Amerikan të Bujqësisë.
Në qendër të çështjes është ngrirja e fondeve për funksione administrative dhe teknologjike të sistemit arsimor të shtetit.
Një letër nga Sekretarja e Bujqësisë, Brooke Rollins, argumentonte se vendimi për ngrirjen e fondeve erdhi për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi zbatimin e Titullit IX – ligji federal që ndalon diskriminimin në arsim bazuar në gjini, përcjell AP.
Pas dërgimit të kësaj letre, Departamenti i Arsimit në Maine nuk kishte më akses në disa burime të rëndësishme fondesh federale për programin shtetëror të ushqimit për fëmijë, thuhet në urdhrin gjyqësor.
Sipas padisë së ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Maine, Aaron Frey, programi i ushqimit të fëmijëve kishte përfituar ose priste të përfitonte mbi 1.8 milionë dollarë për vitin aktual fiskal.
Ndërkohë, fondet e mëparshme që ishin miratuar, por aktualisht të paarritshme, kapnin shifrën e 900 mijë dollarëve.
Programi gjithashtu priste të përfitonte rreth 3 milionë dollarë në korrik, për administrimin e programit të ushqimit veror dhe për rimbursimin e vakteve.
Përplasja mes shtetit të Maine dhe administratës Trump ka nisur pas urdhrave ekzekutivë të presidentit Trump që synojnë ndalimin e pjesëmarrjes së vajzave transgjinore në ekipet sportive të vajzave në shkollat publike.
Në një takim në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, Trump pyeti guvernatoren demokrate të Maine, Janet Mills, nëse do t’i zbatonte këto urdhra.
“Do të respektoj ligjet shtetërore dhe federale,” iu përgjigj ajo.
“Atëherë më mirë të zbatosh ligjin, përndryshe nuk do marrësh asnjë financim federal,” e paralajmëroi Trump.
Guvernatorja Mills iu përgjigj: “Do shihemi në gjykatë.”
Urdhri i gjykatës nuk trajton drejtpërdrejt thelbin e përplasjes mbi atletët transgjinorë, por e quan atë një “sfond” të mosmarrëveshjes aktuale.
Vendimi i gjykatës erdhi të njëjtën ditë kur autoritetet në Maine deklaruan se nuk do të zbatojnë ndalimin e pjesëmarrjes së atletëve transgjinorë në sportet e shkollave të mesme, pas një vendimi të administratës Trump që pretendon se Maine ka shkelur ligjin federal kundër diskriminimit.
Departamenti Amerikan i Arsimit deklaroi në mars se kishte përfunduar një hetim, i cili doli në përfundimin se Departamenti i Arsimit i Maine kishte shkelur Titullin IX duke lejuar vajzat transgjinore të garojnë në ekipet sportive të vajzave.