Izraeli godet spitalin e vetëm funksional në qytetin e Gazës


Një sulm ajror izraelit ka shkatërruar pjesërisht spitalin e fundit funksional në qytetin e Gazës, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi.

Dëshmitarët thanë se goditja ka shkatërruar repartet e kujdesit intensiv dhe të kirurgjisë të Spitalit Al-Ahli Baptist. Pamjet e postuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe tym që ngrihej nga spitali, pas goditjes së një ndërtese dykatëshe.

 Në video shihen pacientë ende në shtretërit e tyre, duke u evakuuar me shpejtësi nga zona, përcjell BBC.

Izraeli tha se është duke shqyrtuar raportet për goditjen. Sipas shërbimit të emergjencës civile, nuk raportohet për viktima.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi se godina është “shkatërruar plotësisht”, çka ka çuar në “zhvendosjen e detyruar të pacientëve dhe stafit mjekësor”.

Një gazetar lokal, që ndodhej në spital në momentin e sulmit, tha se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kishin telefonuar një mjek në urgjencë dhe e kishin urdhëruar të evakuonte menjëherë spitalin.

Së bashku me të gjithë pacientët dhe të zhvendosurit, duhet të dilni menjëherë në një distancë të sigurt“, thuhet se tha oficeri izraelit, duke shtuar: “Keni vetëm 20 minuta kohë.”

Pamje të tjera në rrjete sociale tregojnë stafin dhe pacientët duke dalë nga godina në errësirë, ndërsa dhjetëra palestinezë – gra dhe fëmijë – shihen duke ikur nga oborri i spitalit ku ishin strehuar.

Spitali Al-Ahli, që para luftës ishte një strukturë e vogël, është aktualisht i vetmi që funksionon ende në qytetin e Gazës, pas shkatërrimit të kompleksit spitalor Al-Shifa dhe spitaleve të tjera në veri të Rripit të Gazës.

Zyra e medias e qeverisë së kontrolluar nga Hamasi e dënoi goditjen, duke e cilësuar si një “krim të tmerrshëm”.

“Israeli po kryen një krim të tmerrshëm duke goditur Spitalin Al-Ahli, ku ndodhen qindra pacientë dhe personel mjekësor”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se në tetor të vitit 2023, një tjetër sulm mbi këtë spital vrau qindra persona. Autoritetet palestineze fajësuan një sulm izraelit për shpërthimin, ndërsa Izraeli tha se ishte shkaktuar nga një raketë e dështuar e lëshuar nga grupi i armatosur Xhihadi Islamik Palestinez, që e mohoi përgjegjësinë.

Fushata ushtarake izraelite nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, ku mbetën të vrarë rreth 1.200 izraelitë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Që nga ajo kohë, mbi 50,933 persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi. Nga këto, 1,563 viktima janë regjistruar që nga 18 marsi, kur Izraeli rifilloi ofensivën në Rripin e Gazës.