Zyrtarët kinezë po i bëjnë thirrje presidentit amerikan Trump që të “anulojë plotësisht” të ashtuquajturat tarifa të ndërsjella, pasi lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë po vijon.
Këtë javë, Trump njoftoi një pauzë 90-ditore për një sërë tarifash globale që ai kishte planifikuar, por rriti taksat për importet kineze në 145%, shkruan BBC.
“Ne i bëjmë thirrje SHBA-së të ndërmarrë një hap të madh për të korrigjuar gabimet e saj, të anulojë plotësisht praktikën e gabuar të “tarifave të ndërsjella” dhe të kthehet në rrugën e duhur të respektit të ndërsjellë”, tha në një deklaratë Ministria e Tregtisë e Kinës.
Administrata Trump ofroi disa lëshime të premten duke njoftuar se disa produkte teknologjike – përfshirë shumë të prodhuara në Kinë – do përjashtoheshin nga tarifat.
Ministria kineze e Tregtisë i quajti përjashtimet një “hap të vogël” nga SHBA-jaa dhe tha se Pekini po “vlerësonte ndikimin” e masës.
Përjashtimet teknologjike të Trump – të cilat përfshijnë telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe gjysmëpërçuesit – ofruan shpresë për gjigantët e teknologjisë dhe konsumatorët të cilët shqetësoheshin se çmimi i pajisjeve do ngrihej në qiell si rezultat i tarifave.
Trump vendosi një tarifë prej 54% për importet e produkteve nga Kina në fillim të prillit, përpara se t’i përshkallëzonte në normën e tanishme prej 145%.
Në tarifat e veta, Kina vendosi taksa prej 34% për mallrat amerikane, përpara se ta rriste atë në 84% dhe më pas në 125%, të cilat hynë në fuqi të shtunën.