SHBA-ja dhe Irani bien dakord për t’u takuar sërish, pas bisedimeve “konstruktive” në Oman


Negociatorët iranianë dhe amerikanë janë pajtuar për një rund të dytë bisedimesh të nivelit të lartë mbi programet bërthamore të Teheranit javën e ardhshme, pas një takimi më 12 prill që zgjati më shumë se dy orë, i cili u cilësua nga të dyja palët si “pozitiv” dhe “konstruktiv”.

“Bisedimet ishin shumë pozitive dhe konstruktive”, tha Shtëpia e Bardhë pas takimit në kryeqytetin e Omanit, Muskat.

Ajo deklaroi se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steven Witkoff, theksoi “se kishte marrë udhëzime nga presidenti [Donald] Trump për t’i zgjidhur dallimet mes dy kombeve tona përmes dialogut dhe diplomacisë, nëse është e mundur”.

“Këto çështje janë shumë të ndërlikuara, dhe komunikimi i drejtpërdrejtë i të dërguarit të posaçëm Witkoff sot ishte një hap përpara drejt arritjes së një rezultati të dobishëm për të dyja palët”, tha Shtëpia e Bardhë.

Ajo tregoi se “palët ranë dakord të takohen sërish” më 19 prill.

Më vonë, Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për bisedimet, tha: “Mendoj se po shkojnë mirë”.

“Asgjë nuk ka rëndësi derisa të përfundojë me sukses, kështu që nuk më pëlqen të flas për të. Por, po shkon mirë. Situata me Iranin po ecë mjaft mirë, mendoj”, u tha ai gazetarëve në bordin e avionit Air Force One.

Takimet indirekte – të ndërmjetësuara nga Omani – janë të parat nga zyrtarë të të dyja vendeve mbi këtë çështje pas disa vitesh dhe vijnë mes tensioneve në rritje dhe kërcënimeve ushtarake nga ana e Uashingtonit.

Zyrtarët thanë se delegacionet ishin të vendosura në dhoma të ndara dhe shkëmbenin mesazhe përmes ministrit të Jashtëm të Omanit, Said Badr.

Omani, në bregun juglindor të Gadishullit Arabik, ka shërbyer si ndërmjetës mes Iranit dhe vendeve perëndimore, përfshirë gjatë bisedimeve që çuan në lirimin e disa qytetarëve të huaj dhe shtetasve me shtetësi të dyfishtë të mbajtur nga Teherani.

Delegacioni iranian u udhëhoq nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili gjithashtu tha se palët do të takohen sërish fundjavën e ardhshme.

Edhe pse palët nuk u takuan ballë për ballë gjatë bisedimeve, Araqchi foli shkurtimisht me Witkoff – në prani të ministrit të Jashtëm të Omanit – pas takimit, duke e përshkruar këtë si një “mirësjellje diplomatike”.

Araqchi tha se takimet u zhvilluan në një “atmosferë frytdhënëse, të qetë dhe pozitive”.

Ministria e Jashtme e Iranit tha se bisedimet ishin “konstruktive”.

“Dëshira e [Witkoff] gjatë negociatave ishte që korniza e përgjithshme e marrëveshjes të vendosej në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha diplomati më i lartë iranian pasi tregoi ndërveprimin e parë të drejtpërdrejtë midis dy vendeve që nga administrata Obama.

Pak ditë para takimit, presidenti Donald Trump paralajmëroi se, “nëse është e nevojshme”, Shtetet e Bashkuara “patjetër” do ta përdorin forcën ushtarake kundër Iranit – ndërsa Izraeli është i gatshëm të luajë rol udhëheqës në këtë.

Përgjigjja e Iranit ka qenë sfiduese, duke lënë të kuptohet se rreziku është i madh për të dy vendet dhe për rajonin më gjerë, në kohën kur delegacionet takohen në Oman./REL