Shefi i NATO-s paralajmëron për mundësinë e armëve bërthamore ruse në hapësirë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Rusia po shqyrton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër satelitëve në hapësirë, një veprim që do të përbënte shkelje të Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967.

NATO është e shqetësuar se Rusia mund të jetë duke konsideruar vendosjen e armëve bërthamore në hapësirën e jashtme për të goditur satelitët.

Sekretari i Përgjithshëm Rutte e shprehu këtë shqetësim në një intervistë për gazetën gjermane Welt am Sonntag, përcjell Euronwes..

Ai tha se kapacitetet e Moskës në fushën e hapësirës janë të vjetruara krahasuar me ato të Perëndimit.

 “Prandaj, zhvillimi i armëve bërthamore në hapësirë është një mënyrë për Rusinë që të përmirësojë aftësitë e saj. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese,” theksoi Rutte.

Edhe pse këto armë nuk do të synonin Tokën, rrëzimi i satelitëve do të kishte pasoja serioze, pasi shumë sisteme nga të cilat varet jeta e përditshme varen nga funksionimi i tyre – përfshirë sistemet e navigimit, komunikimit dhe monitorimit mjedisor.

Rutte shtoi se një hap i tillë nga ana e Rusisë do të përbënte shkelje të Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili u nënshkrua në atë kohë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik.

Ky traktat vazhdon të përbëjë kornizën e të drejtës ndërkombëtare për hapësirën dhe ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në hapësirë.

Sipas Rutte-s, aleatët e NATO-s po përshtaten ndaj këtyre sfidave të reja, duke shkëmbyer informacione të inteligjencës dhe duke zhvilluar satelitë më të mbrojtur.

“Gjatë viteve të fundit, hapësira është bërë gjithnjë e më e mbipopulluar, e rrezikshme dhe e paparashikueshme. Ne e dimë që konkurrenca në hapësirë është e ashpër dhe po bëhet gjithnjë e më e egër. Dhe jo vetëm në terma komercialë. Kjo ndikon në gjithë sigurinë tonë,” deklaroi ai.