Sulmi rus me raketa vret 32 persona në Ukrainë


Tridhjetë e dy persona u vranë dhe mbi 80 të tjerë u plagosën nga dy raketa balistike ruse që u përplasën në qendër të qytetit verior Sumy të dielën në mëngjes, thanë zyrtarët ukrainas.

Presidenti Volodymyr Zelensky e dënoi sulmin, një nga më vdekjeprurësit këtë vit dhe bëri thirrje për një reagim të ashpër ndërkombëtar kundër Moskës, shkruan reuters.

“Vetëm të poshtrit mund të veprojnë kështu. Duke marrë jetën e njerëzve të zakonshëm,” shkroi Zelensky në mediat sociale, krahas një videoje rrëqethëse që tregonte kufomat në tokë, një autobus të shkatërruar dhe makina të djegura në mes të një rruge të qytetit.

Ministri i Brendshëm Klymenko tha se viktimat ishin në rrugë, në automjete, transport publik dhe në ndërtesa kur goditi raketa.

“Shkatërrimi i qëllimshëm i civilëve në një festë të rëndësishme të kishës,” shkroi ai.

Andriy Yermak, shefi i shtabit të Zelensky, tha se raketat përmbanin municione thërrmuese.

“Rusët po e bëjnë këtë për të vrarë sa më shumë civilë”, tha ai.

Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit ameikan Trump për Ukrainën, zhvilloi bisedime me presidentin rus Putin të premten në Shën Petersburg mbi kërkimin e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, ndërsa Trump i tha Rusisë që të “lëvizte shpejt”.

Pas sulmit të së dielës, Zelensky u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të jenë të ashpër ndaj Rusisë në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si terrorizëm.