Të paktën 20 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me raketë balistike në qendrën e qytetit verilindor ukrainas të Sumy, kanë bërë të ditur zyrtarët vendas.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka përshkruar sulmin si “të tmerrshëm”, duke thënë se goditja ndodhi në një “rrugë të zakonshme qyteti”, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim.
“Sot Rusia goditi sërish – një qytet i zakonshëm, një rrugë e zakonshme, por pas sulmit, dhjetëra janë të vdekur dhe të plagosur,” deklaroi Zelensky në një reagim në rrjetet sociale, përcjell BBC.
Ai u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të “reagojnë me vendosmëri” ndaj kësaj sulmi, duke theksuar se “Rusia kërkon pikërisht këtë lloj terrori dhe po e zvarrit qëllimisht këtë luftë.”
Pamjet nga vendngjarja tregojnë shkatërrime masive, automjete të djegura dhe ndërtesa të rrënuara, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të shpëtuar të mbijetuarit nën rrënoja.
Ky është një nga sulmet më të rënda të regjistruara kohët e fundit në qytetin e Sumyt, i cili ndodhet pranë kufirit me Rusinë dhe ka qenë shpesh objektiv i sulmeve që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022.