34 të vrarë nga raketat ruse në Ukrainë në Ditën e Palmave


Të paktën 34 persona humbën jetën dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën në një sulm me raketa balistike ruse të dielën në mëngjes në qytetin Sumy të Ukrainës, në një nga sulmet më të rënda ndaj civilëve këtë vit. Dy raketa goditën qendrën e qytetit, ndërsa qytetarët po shkonin në kishë për të shënuar Ditën e Palmave.

Njëra prej raketave shënjestroi një trolejbus plot me pasagjerë, duke shkaktuar skena kaotike. Pamjet nga vendngjarja tregonin trupa të pajetë në rrugë, makina që digjeshin dhe shpëtimtarë që ndihmonin të plagosurit, mes tyre edhe dy fëmijë të vdekur.

“Djali im shtatëvjeçar u plagos nga shpërthimi, por fatmirësisht është gjallë,” tha Volodymyr Niankin, regjisor filmi. Ai shtoi se shumë nga viktimat ishin kalimtarë ose pasagjerë në trolejbus: “Ishte një ditë feste, njerëzit ishin jashtë. Ky është gjenocid.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e dënoi sulmin si një akt të qëllimshëm terrorizmi dhe kërkoi reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga SHBA, BE dhe aleatët perëndimorë. “Raketat goditën një jetë të zakonshme, njerëz të zakonshëm në një ditë të shenjtë,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Sulmi u komentua edhe nga Donald Trump, i cili e quajti ngjarjen “të tmerrshme”, ndërsa i dërguari i tij në Ukrainë, Keith Kellogg, e cilësoi si një krim që kalon çdo kufi njerëzor. Ndërkohë, Steve Witkoff, përfaqësues tjetër i Trump, ishte vetëm dy ditë më parë në takim me Vladimir Putinin, gjë që ka ngjallur kritika të forta nga Ukraina dhe opinioni ndërkombëtar.

Zelenskyy theksoi se Kremlini po injoron propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, i cili tashmë është firmosur nga Ukraina, ndërsa Rusia e ka përshkallëzuar sulmet, me mbi 70 raketa dhe 2200 dronë të lëshuar në vetëm një muaj.

Sipas zyrtarëve ukrainas, raketat ishin të tipit Iskander-M dhe u lëshuan nga territori rus, nga rajonet Voronezh dhe Kursk. Ato goditën fillimisht një qendër konferencash pranë universitetit shtetëror të Sumy-t, ku disa fëmijë po prisnin për një shfaqje teatri, dhe më pas një rrugë qendrore, vetëm 200 metra larg.

“Gjysma e zemrës sime është shkatërruar,” u shpreh regjisori Niankin, teksa përshkroi dëmet në teatrin ku punonte. “Gjithçka është rrafshuar: skena, kostumet, gjithçka që kishim ndërtuar me mund.”

Zyrtarët konfirmuan se mes 117 të plagosurve ka edhe 15 fëmijë, ndërsa udhëheqësit evropianë e dënuan ashpër sulmin, duke e quajtur një krim lufte dhe një akt çnjerëzor ndaj civilëve.

Situata në Ukrainë mbetet dramatike, me nënpresion ndaj Perëndimit për të dërguar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe për të ndalur ofensivën ruse që vazhdon pa mëshirë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha