Algjeria dëbon 12 zyrtarë francezë


Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot

Algjeria ka urdhëruar një duzinë zyrtarësh francezë që të largohen nga vendi brenda 48 orëve, duke rritur tensionin diplomatik midis dy vendeve.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot pohoi të hënën se urdhri lidhet me arrestimin e fundit të tre shtetasve algjerianë të dyshuar për rrëmbimin e një kritiku të profilit të lartë të qeverisë algjeriane në Paris vitin e kaluar.

Barrot u kërkoi autoriteteve algjeriane “të braktisin këto masa dëbimi”, duke thënë se nëse do vijonin me vendimin e tyre, Franca nuk do kishte zgjidhje tjetër veçse “të përgjigjej menjëherë”.

Një burim diplomatik i tha agjencisë së lajmeve AFP se 12 zyrtarët e urdhëruar për t’u larguar përfshinin disa anëtarë të Ministrisë së Brendshme franceze.

Javën e kaluar, prokurorët francezë paditën tre algjerianë, duke përfshirë një zyrtar konsullor, me dyshimin për përfshirje në rrëmbimin e Amir Boukhors.

Tre personat e arrestuar janë në paraburgim dhe po ndiqen penalisht edhe për komplot “terrorist”, shkruan Al Jazeera.

Boukhors, kundërshtar i qeverisë algjeriane dhe influencer në mediat sociale, ka më shumë se një milion ndjekës në TikTok nën emrin “Amir DZ”.

Boukhors, të cilit iu dha azil nga Franca në vitin 2023, u mor peng  në një periferi të Parisit në prill të vitit të kaluar dhe u lirua të nesërmen, sipas avokatit të tij.

Algjeri zyrtar kërkon që ai të kthehet për t’u përballur me gjyqin, pasi ka lëshuar nëntë urdhërarreste ndërkombëtare kundër tij me akuza për mashtrime dhe vepra terrori.

Marrëdhënie të tensionuara

Përplasja diplomatike kërcënon të prishë përpjekjet e fundit për të normalizuar marrëdhëniet e tensionuara midis Francës dhe ish-kolonisë së saj afrikano-veriore, duke përfshirë një vizitë në Algjeri nga Barrot një javë më parë.

Korrikun e kaluar, presidenti francez Macron zemëroi Algjerinë duke njohur një plan për autonominë e rajonit të Saharasë Perëndimore nën sovranitetin maroken.

Tensionet u rritën më tej muajin e kaluar kur një gjykatë algjeriane dënoi shkrimtarin francezo-algjerian Boualem Sansal me pesë vjet burg për minimin e unitetit kombëtar, duke nxitur një thirrje për lirinë e tij nga Macron.

Vetëm javën e kaluar, pas bisedimeve me presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune, Barrot kishte deklaruar se lidhjet ishin kthyer në normalitet.

Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme tha të hënën se nëse Algjeri zbaton urdhrin e saj, do ishte dëbimi i parë i diplomatëve francezë që kur Algjeria fitoi pavarësinë në 1962.