Arabia Saudite planifikon të shlyejë borxhet që Siria ka ndaj Bankës Botërore, thanë tre persona të njohur me këtë çështje, duke hapur rrugën për miratimin e miliona dollarëve në grante për rindërtim dhe për të mbështetur sektorin publik të paralizuar të vendit.
Planet, të cilat nuk janë raportuar më parë, do jenë rasti i parë i njohur i Arabisë Saudite që siguron financime për Sirinë që kur rebelët e udhëhequr nga islamistët rrëzuan ish-udhëheqësin Bashar al-Assad vitin e kaluar.
Mund të jetë gjithashtu një shenjë se mbështetja thelbësore e arabëve të Gjirit për Sirinë ka filluar të materializohet pasi planet e mëparshme, duke përfshirë një nismë nga Katari për financimin e pagave, u penguan nga pasiguria për sanksionet e SHBA-së.
Muajin e kaluar, Katari njoftoi një plan për t’i dhënë Sirisë gaz nëpërmjet Jordanisë për të përmirësuar furnizimin e varfër të vendit me energji elektrike, një lëvizje që burimet i thanë Reuters-it kishte miratimin e Uashingtonit.
Një zëdhënës i Ministrisë Saudite të Financave i tha Reuters, “Ne nuk komentojmë spekulimet, por bëjmë njoftime kur ato bëhen zyrtare”.
Zyra e mediave e qeverisë saudite, një zëdhënës i Bankës Botërore dhe një zyrtar i qeverisë siriane nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Siria ka rreth 15 milionë dollarë borxhe ndaj Bankës Botërore, të cilat duhet të shlyhen përpara se institucioni financiar ndërkombëtar të miratojë grante dhe të ofrojë forma të tjera ndihme.
Por Damaskut i mungon valuta e huaj dhe një plan i mëparshëm për të shlyer borxhet duke përdorur asetet e ngrira jashtë nuk u materializua, sipas dy personave të njohur me këtë çështje.
Zyrtarët e Bankës Botërore kanë diskutuar sigurimin e financimit për të ndihmuar në rindërtimin e rrjetit energjetik të vendit, të dëmtuar rëndë nga vitet e luftës, dhe gjithashtu për të mbështetur pagesat e sektorit publik, thanë dy nga burimet.
Një delegacion teknik nga Banka Botërore u takua me Ministrin e Financave të Sirisë Mohammed Yosr Bernieh të hënën, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve siriane Sana.
Takimi, i cili ishte takimi i parë publik midis qeverisë siriane dhe Bankës Botërore, përfshiu diskutime për forcimin e lidhjeve financiare dhe ekonomike midis dy palëve.
Bernieh theksoi gjithashtu efektet negative të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Sirisë dhe politikave të ish-regjimit në sektorin financiar dhe bankar të vendit.
Reuters raportoi të shtunën se Siria do dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Uashington për takimet vjetore të pranverës të Bankës Botërore dhe FMN-së më vonë këtë muaj, duke shënuar vizitën e parë të zyrtarëve sirianë në SHBA që nga rrëzimi i Asadit.
Është e paqartë nëse delegacioni sirian do takohet me ndonjë zyrtar amerikan. Sanksionet e ashpra të Shteteve të Bashkuara të vendosura gjatë sundimit të Asadit mbeten në fuqi.
Në janar, SHBA-ja lëshoi një përjashtim prej gjashtë muajsh për disa sanksione për të inkurajuar ndihmën humanitare, por kjo ka pasur efekt të kufizuar. Muajin e kaluar, SHBA-të i dhanë Sirisë një listë të kushteve për të përmbushur në këmbim të lehtësimit të pjesshëm të sanksioneve, por administrata e presidentit Trump është angazhuar pak me sundimtarët e rinj të vendit.
Kjo është pjesërisht për shkak të pikëpamjeve të ndryshme në Uashington se si t’i qasen Sirisë.
Disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë qenë të prirur të mbajnë një qëndrim më të ashpër, duke vënë në dukje lidhjet e mëparshme të udhëheqjes së re siriane me Al-Kaedën si arsye për të mbajtur angazhimin në minimum, sipas diplomatëve dhe burimeve amerikane.