Arrestohet 38-vjeçari në Lushnjë për blerje vote


Katër ditë pas nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, policia ka kryer arrestimin e parë për korrupsion elektoral. Marin Leka, 38 vjeç, nga Lushnja, është vënë në pranga pasi i kishte premtuar një qytetari 500 mijë lekë të vjetra në këmbim të votës.

Sipas burimeve nga policia e Fierit, shtetasi Muharrem Toska ka bërë kallëzim në polici, duke deklaruar se Leka i kishte kërkuar kartën e identitetit dhe i kishte premtuar para për të votuar për PD-në. 

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.