Berisha ironizon hapjen e fushatës së PS: Pasaporta europiane me fytyrat e korrupsionit


Në konferencën e sotme për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ironizuar hapjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, e mbajtur të shtunën në Sheshin Skënderbej.

Ai e cilësoi aktivitetin e PS-së si një “ceremoni parodike” dhe “mashtrim të radhës” me simbolikën e pasaportës europiane, ku ishin vendosur fytyrat e disa prej figurave më të kontestuara të qeverisë.

“Pasaporta europiane që ata paraqitën ishte një tjetër gënjeshtër publike. Aty ishin stampuar fytyrat e Belinda Ballukut, Ilir Beqjas, Taulant Ballës, Erion Veliajt – simbolikë e korrupsionit, jo e integrimit,” u shpreh Berisha me ironi.

Ai vuri në dukje se hapja e fushatës së PS-së ishte në kontrast të thellë me entuziazmin dhe pjesëmarrjen masive në nisjen e fushatës së opozitës. Madje, Berisha u shpreh se mitingu që organizoi Edi Rama pas arrestimit të Erion Veliajt pati më shumë pjesëmarrës se sa eventi i së shtunës.

“Në vitin 1992, Tirana nuk ka parë një kontrast të tillë. Në njërën anë kishte një hapje madhështore nga opozita, dhe në tjetrën një aktivitet që i ngjante më shumë një homazhi për Veliaj, sesa një fushatë. Diferenca ishte si nata me ditën,” deklaroi Berisha.