Berisha: Nuk është normalitet që një kryeministër të pranojë orë 600 mijë euro si ‘dhuratë’


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me persona me aftësi të veçanta, ka denoncuar luksin e shfrenuar të zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke e cilësuar këtë si një fyerje të rëndë ndaj qytetarëve që përballen me vështirësi ekonomike çdo ditë.

“Të jesh në zyrë shtetërore nuk do të thotë të garosh me çanta dhe orë të shtrenjta, por të respektosh qytetarët që të paguajnë,” deklaroi Berisha.

Ai akuzoi drejtues të lartë të qeverisë, përfshirë kryeministrin, për shfaqje publike të luksit, duke përmendur orë me vlerë qindra mijëra euro dhe çanta me çmime marramendëse.

“Nuk është normalitet që një ministre të mburret me çanta 30 mijë euro dhe një kryeministër të pranojë orë 600 mijë euro si ‘dhuratë’. Kjo është një tallje me shqiptarët,” u shpreh Berisha.

Në këtë sfond kritikash, kreu i PD prezantoi edhe angazhimet e tij për personat me aftësi të veçanta. Ai premtoi një paketë mbështetjeje që përfshin rritjen e pensioneve deri në 200 euro si minimum jetik, si dhe trajtim dinjitoz për familjarët e personave me aftësi ndryshe. Berisha tha se në fokus do të jenë investimet në qendrat e rehabilitimit, për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësinë të zhvillojë potencialin e tij.