Çështja “Partizani”, Apeli lë në fuqi masën “arrest shtëpie” për Jamarbër Malltezin


Apeli i GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e liderit të opozitës Sali Berisha, i cili po hetohet nga SPAK për çështjen e njohur si “Partizani”.

Malltezi ndodhet në arrest shtëpie që prej nëntorit të vitit 2023, pas një vendimi të mëparshëm që i ndryshoi masën nga “arrest me burg” në atë më të butë. Ai është i akuzuar për përfitime të paligjshme financiare që arrijnë në 5.4 milionë euro përmes një projekti ndërtimi, në bazë të vendimeve të marra nga qeveria gjatë kohës kur Berisha ishte në pushtet.

Berisha dhe Malltezi i kanë mohuar akuzat, duke i quajtur ato politike dhe të motivuara nga kryeministri Edi Rama. Lideri i Partisë Demokratike ka deklaruar se procesi është një përpjekje për të goditur opozitën dhe për të asgjësuar zërin e saj në skenën politike.