Hapet aplikimi për Skemën Kombëtare të Bujqësisë – 4.4 miliardë lekë në dispozicion të fermerëve


Prej sot, fermerët në të gjithë vendin mund të aplikojnë për mbështetje financiare në kuadër të Skemës Kombëtare të Bujqësisë. Fondi i vënë në dispozicion arrin në 4.4 miliardë lekë dhe synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor, rritjen e prodhimit vendas dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në treg.

Aplikimet do të bëhen vetëm online përmes portalit “e-Albania”, duke nisur nga sot në orën 08:00 deri më 30 maj në orën 24:00. Përfitues potencialë janë fermerët individualë, grupimet e fermerëve, personat fizikë dhe juridikë, si dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Skema përfshin 8 masa mbështetëse për sektorët kryesorë të bujqësisë dhe blegtorisë:

  1. Tufa bazë e matrikulluar e gjedhëve;
  2. Tufa bazë e matrikulluar e bagëtive të imta;
  3. Mbarështimi i bletarisë;
  4. Mbështetje për fara dhe fidanë;
  5. Kultivimi i bimëve aromatike dhe mjekësore;
  6. Ferma organike dhe certifikimi GLOBAL GAP;
  7. Kontrolli biologjik i dëmtuesve;
  8. Mbështetje me naftë për punimet bujqësore të mekanizuara.

Fermerët do të përfitojnë 100% të vlerës së aplikuar në disa kategori, si 10.000 lekë për çdo lopë ose mëshqerrë, 5.000 lekë për viçat, 1200 lekë për çdo krerë bagëti të imët, 1000 lekë për çdo koshere blete, si dhe 200.000 lekë për hektar për perime dhe fruta të kultivuara në serra.

Pjesë e skemës është edhe mbështetja për fermerët që janë në fazën e përfitimit të fondeve për investime të mëparshme, si dhe ndihma përmes garancisë sovrane për akses në kredi nga bankat, me shtetin që del garant për fermerët pa kolateral.

Ekspertët apelojnë që aplikimet të bëhen pasi fermerët të konsultohen me zyrat bujqësore rajonale dhe agropikat, për të shmangur gabimet dhe për të rritur shanset për përfitim. Pritshmëritë janë që mbi 60 mijë fermerë do të përfitojnë këtë vit nga mbështetja.