Bashkimi Evropian ka siguruar rreth dy të tretat e shumës prej 5 miliardë eurosh të nevojshme për të dërguar dy milionë predha artilerie në Ukrainë, deklaroi të hënën Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, duke i bërë thirrje shteteve anëtare që të rrisin mbështetjen ushtarake, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po tërhiqen gradualisht nga angazhimi i tyre.
“Ende nuk kemi 100%, por duhet patjetër të ecim përpara,” u tha ajo gazetarëve pas takimit të ministrave të punëve të jashtme në Luksemburg, përcjell Euronews.
“Shumica dërrmuese e vendeve anëtare ranë dakord se duhet të bëjmë më shumë.”
Iniciativa për municionin konsiderohet si komponenti më i realizueshëm i planit prej 40 miliardë eurosh të propozuar nga Kallas në mars, i cili nuk arriti të miratohej tërësisht nga liderët e BE-së.
Sipas saj, premtimet e bëra deri më tani nga shtetet anëtare përfshijnë donacione aktuale të municionit dhe fonde të reja për blerjen e tij. “Janë, natyrisht, angazhime, por ato duhet të ndiqen edhe me veprime konkrete,” theksoi ajo.
Kallas shtoi se predhat duhet të mbërrijnë në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur”, ndërsa u bëri thirrje qeverive të ofrojnë gjithashtu sisteme mbrojtjeje ajrore, që do të ndihmonin në mbrojtjen e popullsisë civile dhe infrastrukturës nga sulmet gjithnjë e më të ashpra të Rusisë.
Takimi në Luksemburg u zhvillua një ditë pas sulmit me raketa balistike ruse në qytetin Sumy, gjatë festimeve të Dielës së Palmave nga të krishterët. Të paktën 34 persona humbën jetën dhe më shumë se 110 të tjerë u plagosën.
Kjo ngjarje ka rikthyer thirrjet për sanksione të reja ndaj Kremlinit. BE-ja ka miratuar deri tani 16 paketa sanksionesh që nga shkurti 2022, ndërsa sipas Kallas, puna për paketën e 17-të është tashmë në zhvillim, me qëllim që të paraqitet në maj për shqyrtim nga ministrat.
“Nëse doni që vrasjet të ndalojnë, duhet të ushtrohet presion mbi Rusinë, e cila është ajo që vret,” u shpreh Kallas.
E pyetur nëse paketa e ardhshme duhet të përfshijë eksportet ruse të gazit natyror të lëngshëm (LNG), që deri tani nuk janë sanksionuar, Kallas tha se një masë e tillë do të ndihmonte në dëmtimin e makinerisë së luftës së Kremlinit, por pranoi se arritja e unitetit mes 27 vendeve mund të jetë e pamundur.
Polonia, vendet nordike dhe ato balltike janë ndër më të zëshmet në kërkesën për ndalimin e blerjeve të LNG-së ruse, që gjatë vitit të kaluar arritën vlerën 7 miliardë euro në të gjithë bllokun.
“Vendosja e sanksioneve ndaj naftës dhe gazit, dhe thellimi i tyre, do të kishte ndikimin më të madh, sepse është mënyra si financojnë luftën,” theksoi Kallas.
“Diskutimet janë në vazhdim, por e dini shumë mirë se duhet pajtimi i 27 vendeve. Qëndrimi im është se duhet një paketë sa më e fuqishme, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.”
Diplomatët në Bruksel presin që Hungaria të kundërshtojë menjëherë raundin e ri të sanksioneve. Budapesti ka qenë gjithnjë e më kritik ndaj masave ekonomike, deri në pikën që ka kërcënuar me bllokimin e rinovimit të tyre.