Kina dhe Vietnami nënshkruajnë marrëveshje, mes tensioneve me SHBA-në për tarifat


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për marrëdhënie më të ngushta tregtare dhe zinxhirë furnizimi me Vietnamin, gjatë një vizite në Hanoi të hënën, në një kohë kur Pekini përballet me tarifa amerikane prej 145%. Xi mori pjesë në nënshkrimin e dhjetëra marrëveshjeve bashkëpunimi mes dy vendeve komuniste.

Vizita, pjesë e një turi më të gjerë në Azinë Juglindore, vjen ndërsa Vietnami përpiqet të shmangë tarifa amerikane të planifikuara deri në 46%, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në korrik pas përfundimit të një moratoriumi global.

Në një artikull të botuar në gazetën Nhandan të Partisë Komuniste të Vietnamit përpara mbërritjes së tij, Xi deklaroi: “Të dy palët duhet të forcojnë bashkëpunimin në prodhim dhe zinxhirët e furnizimit.”

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rritjes së tregtisë dhe bashkëpunimit në inteligjencën artificiale dhe ekonominë e gjelbër. “Nuk ka fitues në luftërat tregtare dhe tarifore,” shtoi ai, pa përmendur drejtpërdrejt SHBA-në, sipas Reuters.

Pas takimit me liderin më të lartë të Vietnamit, To Lam, u nënshkruan dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi, përfshirë ato për fuqizimin e zinxhirëve të furnizimit dhe për bashkëpunimin në ndërtimin e hekurudhave.

Përmbajtja e saktë e këtyre marrëveshjeve nuk u bë publike dhe nuk është e qartë nëse përfshijnë angazhime financiare apo detyrime të tjera.

Zëvendëskryeministri vietnamez Bui Thanh Son kishte njoftuar më herët se do të nënshkruheshin rreth 40 marrëveshje. Të dielën ishte nënshkruar veçmas një marrëveshje në fushën e aviacionit.

Nën presionin e Uashingtonit, Vietnami po ashpërson kontrollet mbi tregtinë me Kinën, për të siguruar që mallrat e eksportuara drejt SHBA-së me etiketën “Made in Vietnam” të kenë përpunim të mjaftueshëm lokal për të justifikuar origjinën.

Një memorandum mirëkuptimi i nënshkruar të hënën synon të rrisë bashkëpunimin mes Këshillit Kinez për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Vietnamit, që lëshon certifikatat e origjinës së mallrave.

Vietnami, një qendër kryesore industriale dhe për montimin e produkteve në Azinë Juglindore, importon kryesisht nga Kina, ndërsa eksporton më shumë drejt SHBA-së.

Në tre muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave doganore të Vietnamit, vendi importoi mallra nga Kina me vlerë rreth 30 miliardë dollarë dhe eksportoi drejt SHBA-së mallra në vlerë 31.4 miliardë dollarë.

Pas qëndrimit dyditor në Hanoi, Xi do të vizitojë Malajzinë dhe Kamboxhian nga 15 deri më 18 prill. Ai e kishte vizituar për herë të fundit Kamboxhian para 9 vitesh dhe Malajzinë para 12 vitesh.

Kjo është vizita e dytë e Xi në Hanoi brenda më pak se 18 muajsh, duke pasqyruar përpjekjet për të konsoliduar marrëdhëniet me një fqinj që ka përfituar miliarda dollarë investime kineze, pasi shumë prodhues të bazuar në Kinë u zhvendosën në jug për të shmangur tarifat e administratës Trump.

Lideri vietnamez Lam, në një artikull të botuar të hënën në median shtetërore, u shpreh se Hanoi dëshiron të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe infrastrukturës, veçanërisht në lidhjen me hekurudha.

Vietnami ka rënë dakord të përdorë kredi kineze për të ndërtuar linja të reja hekurudhore mes dy vendeve, një hap që synon rritjen e besimit dhe forcimin e lidhjeve tregtare. Megjithatë, ende nuk është njoftuar ndonjë marrëveshje konkrete për kredi.

Pas presionit të gjatë, Pekini ka siguruar miratimin e Vietnamit për përdorimin e avionëve të autorizuar nga autoriteti kinez i aviacionit, duke hapur rrugën për përdorimin e avionëve të prodhuar nga kompania kineze COMAC në tregun vietnamez. Qeveria e Hanoi-t e ka njohur autoritetin kinez të aviacionit si të barabartë me ato të SHBA-së dhe BE-së.

Të dielën, linja ajrore vietnameze me buxhet të ulët, VietJet, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me COMAC.

Pavarësisht marrëdhënieve të forta ekonomike, tensionet mes dy vendeve shfaqen rregullisht për shkak të mosmarrëveshjeve në Detin e Kinës Jugore.

Gjithashtu, lëshimet e Vietnamit ndaj SHBA-së për të shmangur tarifat mund të acarojnë Pekinin, përfshirë lejimin e shërbimit satelitor Starlink të Elon Musk në vend, si dhe masat kundër tregtisë së dyshimtë për origjinën e mallrave.

Kohët e fundit, Vietnami ka vendosur tarifa antidumping për disa produkte çeliku nga Kina dhe ka hequr përjashtimin nga taksat për pakot me vlerë të ulët, duke synuar të kufizojë importin e mallrave të lira kineze.

Ndërkohë, dy vendet e tjera të përfshira në itinerarin e Xi-së – Kamboxhia dhe Malajzia – po përballen gjithashtu me tarifa amerikane përkatësisht prej 49% dhe 24% dhe kanë nisur bisedime me Uashingtonin për të shmangur apo zbutur këto masa.