Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumani, duke i cilësuar komentet e tij për zgjatjen e mandatit si një tentativë të papranueshme për ndryshim të Kushtetutës në funksion të interesave personale.
Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh:
“Ta harrojë! Kushtetuta nuk ndryshon për karrigen e tij. Nëse ke punuar me ndershmëri, nuk ke pse të trembesh nga mbyllja e mandatit.”
Ish-kryeministri hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Dumanit për mungesë transparence dhe rezultate në ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e krahasuar negativisht me Prokurorinë e Krimeve të Rënda që, sipas tij, ka dhënë dhjetëra dënime të përjetshme.
“Ku janë dënimet e tua? Asnjë! Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dënuar dhjetëra kriminelë të rrezikshëm. Ti, Dumani, merresh me pazare,” akuzoi Berisha.
Në përfundim, ai paralajmëroi se SPAK nuk mund të jetë mbi sistemin e drejtësisë dhe se Kushtetuta do të ndryshohet vetëm për të ndalur kontrollin e prokurorëve mbi gjyqtarët:
“Kjo nuk ndodh askund në botë. Nëse Dumani nuk ka punuar me integritet, do të japë llogari.”