Tensionet tregtare me SHBA, Xi Jinping tur në Azinë Juglindore


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, pritet të largohet nga Hanoi nesër pasdite, pas një vizite simbolike në mauzoleumin e Ho Chi Minh, lideri historik dhe figura qendrore e revolucionit komunist në Vietnam.

Pas Vietnamit, Xi do të udhëtojë drejt Malajzisë, ku do të qëndrojë për tre ditë. Aty, ai do të marrë pjesë në një banket shtetëror të organizuar nga mbreti dhe do të zhvillojë një takim të nivelit të lartë me kryeministrin Anwar Ibrahim.

Turneu i tij në Azinë Juglindore, i cili përfshin gjithashtu edhe Kamboxhian, është cilësuar nga analistët si një “ofensivë sharmi” strategjike, në një moment kur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara janë intensifikuar dhe Pekini përpiqet të pozicionohet si një alternativë ndaj Uashingtonit në rajon.

Vendet që Xi po viziton janë ndër më të prekurat nga tarifat e vendosura gjatë presidencës së Donald Trump, me Vietnamin dhe Kamboxhian që u përballën me taksa importi përkatësisht 46% dhe 49%. SHBA ka vendosur më pas një periudhë 90-ditore pezullimi për disa nga këto masa.

Kamboxhia do të jetë ndalesa e fundit e këtij turi diplomatik, ku Xi pritet të takohet me kryeministrin Hun Manet dhe babain e tij, ish-udhëheqësin Hun Sen. Kina është donatori më i madh i ndihmave të huaja për Kamboxhian dhe burimi kryesor i investimeve direkte të huaja në këtë vend.

Turneu ishte planifikuar prej kohësh, por ka marrë një rëndësi të shtuar pas zhvillimeve të fundit në fushën e tregtisë ndërkombëtare. Media shtetërore kineze e ka portretizuar Kinën si një “port të sigurt në mes të stuhisë” për vendet e Azisë Juglindore, duke theksuar partneritetin, besueshmërinë dhe fokusin në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Gjatë ndalesës në Vietnam, Xi theksoi vlerat e përbashkëta komuniste mes dy vendeve, pa përmendur publikisht konfliktin e armatosur të 46 viteve më parë apo mosmarrëveshjet e vazhdueshme për ishujt në Detin e Kinës Jugore.

Ndërkohë, ndikimi i Kinës në rajon ka ardhur në rritje, por shumica e vendeve të Azisë Juglindore përpiqen të ruajnë balancën mes dy superfuqive, SHBA dhe Kinës. Megjithëse janë të ndjeshme ndaj ndikimeve të tarifave të vendosura nga Uashingtoni, këto vende janë përpjekur të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes bisedimeve, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta.

Pavarësisht se Kina është një partner kyç tregtar, nuk mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si treg kryesor eksporti. Ka shqetësime në rritje në rajon se produktet kineze, të cilat janë konkurruese dhe shpesh problematike për prodhuesit lokalë, do të përmbytin tregjet e Azisë Juglindore si pasojë e barrierave të reja që u janë vendosur në SHBA./BBC