Në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë më 14 prill, Qeveria e Kosovës ka zgjatur mandatin e Komisionit Qeveritar përgjegjës për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Mandati i këtij Komisioni ishte zgjatur gjithashtu dy vjet më parë dhe ishte i vlefshëm deri më 15 maj të këtij viti.
Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, mandati i ri do të zgjasë deri më 15 maj të vitit 2028.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria e Kosovës vendosi ta zgjasë edhe afatin për aplikim për njohje të këtij statusi deri më 15 maj të vitit 2027.
Por, ky kufizim në kohë ka nxitur plot herë kundërshtime. Nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deri tek organizatat që mbrojnë të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë thonë se afati i aplikimit për këtë status duhet të jetë i pakufizuar, deri kur i mbijetuari të ndihet i gatshëm për një hap të tillë.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës u siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si: shërbime shëndetësore falas dhe përparësi në punësim.
Sipas ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.
Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet. Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.
Në Kosovë, që dy vjet, 14 prilli shënohet si Dita e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
Këtë vit, kjo ditë solli edhe rrëfimin e parë publik nga një burrë i cili i ka mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës.
Deri më tani, të gjithë të mbijetuarit që kishin folur publikisht për historinë e tyre kishin qenë gra.