Administrata e Donald Trump-it është duke përgatitur një plan për të përgjysmuar buxhetin e Departamentit të Shtetit, çka do të ulte ndjeshëm shpenzimet ndërkombëtare të SHBA-së dhe mund të çonte në ndërprerjen e financimit për NATO-n dhe Kombet e Bashkuara, sipas një memorandumi të brendshëm.
Memorandumi, i bazuar në propozime për shkurtim të shpenzimeve të hartuara nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit e Shtëpisë së Bardhë, parasheh që buxheti i përgjithshëm për Departamentin e Shtetit dhe USAID-in – agjencia kryesore për ndihmën e jashtme, e cila është shpërbërë gjerësisht nga “Departamenti për Efiçencën e Qeverisë” (i njohur si Doge) i krijuar nga Elon Musk – të ulet në 28.4 miliardë dollarë.
Kjo përfaqëson një ulje prej 27 miliardë dollarësh, ose 48%, nga buxheti i miratuar nga Kongresi për vitin 2025.
Këto shkurtimet do të sillnin ulje drastike në financimin për ndihmën humanitare, shëndetin global dhe organizatat ndërkombëtare, përcjell The Guardian.
Sipas memorandumit, programet e ndihmës humanitare dhe financimi për shëndetin global do të shkurtoheshin përkatësisht me 54% dhe 55%. Memorandumi u raportua fillimisht nga The Washington Post.
Po ashtu, dokumenti parashikon që USAID-i, që dikur ishte një agjenci e pavarur, të integrohet plotësisht në strukturën e Departamentit të Shtetit.
Do të ketë gjithashtu reduktime të ndjeshme në fuqinë punëtore të Departamentit të Shtetit, e cila aktualisht numëron rreth 80,000 punonjës.
Memorandumi propozon eliminimin e 90% të mbështetjes për organizatat ndërkombëtare, përfshirë ndërprerjen e financimit për rreth 20 organizata, mes tyre aleanca e NATO-s dhe OKB-ja.
Ndërkohë, financimi për Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil do të vazhdojë, por mbështetja për misionet e ruajtjes së paqes do të ndërpritet, me arsyetimin e “dështimeve të fundit të misioneve”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Shkurtimet do të përfshijnë gjithashtu buxhetin e udhëtimeve të shërbimit të jashtëm dhe përfitimet për stafin diplomatik.
Ndërkohë, do të ndërpritet programi Fulbright, një bursë e krijuar nga Kongresi në vitin 1946, që ka mundësuar shkëmbime arsimore dhe që ka ndihmuar më shumë se 40 liderë të ardhshëm shtetërorë apo qeveritarë.
Gjithashtu, do të eliminohet edhe Byroja për Operacionet e Stabilizimit dhe Konfliktit, e cila synon të parandalojë dhe parashikojë luftëra në mbarë botën.
Megjithatë, këto shkurtimet ende nuk janë miratuar nga administrata dhe do të duhet të kalojnë në Kongres, ku ka gjasa të përballen me kundërshtime të forta, përfshirë edhe nga vetë republikanët.
Memorandumi, i datës 10 prill, mban firmën e Douglas Pitkin, drejtor i planifikimit dhe buxhetit në Departamentin e Shtetit, dhe Peter Marocco, që deri vonë ishte drejtor i ndihmës së jashtme në këtë departament dhe zëvendësdrejtor në detyrë i USAID-it.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio – i cili deri më tani ka mbështetur një rol aktiv të SHBA-së në çështjet ndërkombëtare – ka afat deri të martën për të reaguar ndaj memorandumit.
Senatori demokrat Chris Van Hollen, anëtar i komisionit të Senatit për marrëdhënie me jashtë dhe për USAID-in, i quajti propozimet “një buxhet jo serioz”.
“Parashikoj që do të përballet me një mur kundërshtimi bipartizan,” i tha ai Washington Post-it.
Shoqata e Shërbimit të Jashtëm Amerikan i kërkoi Kongresit të refuzojë çdo buxhet që përfshin këto shkurtimet, të cilat i cilësoi si “të pamenduara dhe të rrezikshme”. Sipas saj, këto masa “do t’u jepnin më shumë fuqi kundërshtarëve si Kina dhe Rusia, të gatshëm të mbushin boshllëkun e lënë nga tërheqja e SHBA-së”.
Dokumenti i plotë: (US Memo on Budget for the State Department)