Administrata Trump ngrin 2.2 miliardë dollarë fonde për Harvardin për shkak të aktivizmit në kampus


Qeveria federale njoftoi se ka ngrirë më shumë se 2.2 miliardë dollarë në grante dhe 60 milionë dollarë në kontrata për Universitetin e Harvardit, pasi ky institucion deklaroi se do të kundërshtonte kërkesat e administratës Trump për të kufizuar aktivizmin në kampus.

Ky bllokim i financimeve ndaj Harvardit është rasti i shtatë ku administrata e Presidentit Donald Trump ndërmerr një veprim të tillë ndaj një universiteti elitar në SHBA, si përpjekje për të detyruar këto institucione të ndjekin agjendën politike të presidentit. Gjashtë nga këto universitete ndodhen në grupin e universiteteve Ivy League.

Në një letër drejtuar Harvardit të premten, administrata Trump kërkonte reforma të thella në mënyrën e drejtimit të universitetit, ndryshime në politikat e pranimit të studentëve, auditim (kontroll) të qëndrimeve ndaj diversitetit në kampus, dhe ndërprerje të njohjes së disa klubeve studentore.

Qeveria federale paralajmëroi se në total, afro 9 miliardë dollarë në grante dhe kontrata janë në rrezik, nëse Harvardi nuk e zbaton kërkesat.

Të hënën, presidenti i Harvardit, Alan Garber, tha se universiteti nuk do të dorëzojë pavarësinë e tij dhe nuk do të heqë dorë nga të drejtat kushtetuese, sipas AP.

“Asnjë qeveri — pavarësisht se cila parti është në pushtet — nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë të pranojnë apo të punësojnë, dhe cilat fusha studimi apo kërkimi mund të ndjekin,” shkroi Garber në një letër drejtuar komunitetit të Harvardit.

Vetëm pak orë pas kësaj deklarate, qeveria federale zyrtarisht ngriti dorën nga financimi i miliarda dollarëve për Harvardin.

Universiteti i parë që u përball me presionin e administratës Trump ishte Columbia, e cila pranoi të përmbushte kërkesat e qeverisë për të shmangur humbjen e fondeve federale.

Më pas, financimet federale janë pezulluar edhe për Universitetin e Pensilvanisë, Brown, Princeton, Cornell dhe Northwestern.

Administrata Trump po e përdor ndërprerjen e fondeve si një mënyrë për të ushtruar presion politik ndaj universiteteve dhe për të ndikuar në politikat e brendshme të kampuseve. Qeveria pretendon se universitetet kanë lejuar antisemitizmin të përhapet në protestat e studentëve kundër luftës së Izraelit në Gaza.

Garber tha se Harvardi tashmë ka ndërmarrë hapa për të luftuar antisemitizmin, por shumica e kërkesave të qeverisë, sipas tij, nuk kanë lidhje me këtë çështje. Ai i konsideroi këto kërkesa si përpjekje për të kontrolluar “klimën intelektuale” brenda universitetit.

“Ngrirja e fondeve federale ndaj Harvardit, një nga qendrat më të rëndësishme të kërkimit shkencor dhe mjekësor në vend, rrezikon jo vetëm shëndetin dhe mirëqenien e miliona njerëzve, por edhe sigurinë ekonomike dhe zhvillimin e kombit tonë,” shkroi Garber.

Ai shtoi se kërkesat e qeverisë cenojnë të drejtat që mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës dhe shkelin ligjin federal që ndalon diskriminimin mbi bazë të racës, ngjyrës apo origjinës kombëtare.

Ndër kërkesat e administratës ishin që Harvardi të zbatojë politika të pranimeve dhe punësimeve të bazuara vetëm në “meritë”, të bëjë auditim për qëndrimet ndaj diversitetit në mesin e studentëve dhe stafit, të ndalojë përdorimin e maskave në kampus — si përgjigje ndaj protestave pro-palestineze — dhe të mos financojë apo njohë më klube studentore që mbështesin dhunën apo veprimtari të paligjshme.

Task-forca qeveritare për antisemitizmin reagoi të hënën duke e quajtur qëndrimin e Harvardit një shembull të “mentalitetit të privilegjuar” që, sipas saj, ekziston në universitetet elitare dhe që nënvlerëson përgjegjësinë për të respektuar ligjet për të drejtat civile.

“Shqetësimet për ndërprerjen e mësimit në kampuse dhe për ngacmimet ndaj studentëve hebrenj janë të papranueshme,” thuhej në deklaratë.

Trump ka premtuar një qasje më agresive kundër antisemitizmit në universitetet amerikane, duke akuzuar ish-presidentin Biden për neglizhencë. Administrata e tij ka hapur hetime të reja në universitete dhe ka dëbuar disa studentë të huaj që kishin lidhje me protestat pro-palestineze.

Një grup ish-studentësh të Harvardit i kanë dërguar një letër drejtuesve të universitetit, ku i bëjnë thirrje të mos e pranojnë asnjë kërkesë të paligjshme dhe të mbrojnë lirinë akademike dhe vetëqeverisjen universitare.

“Sot, Harvardi mbrojti integritetin, vlerat dhe liritë që përbëjnë themelin e arsimit të lartë,” tha Anurima Bhargava, një prej firmëtareve të letrës. “Harvardi i tregoi botës se dijet, inovacioni dhe rritja nuk do të nënshtrohen para presionit apo autoritarizmit.”

Ndërkohë, ngrirja e fondeve ka nxitur protesta nga studentët dhe banorët e qytetit Cambridge, si dhe një padi ligjore nga Shoqata Amerikane e Profesorëve Universitarë, e cila e konsideron vendimin të jashtëligjshëm.

Në padi thuhet se administrata Trump nuk ka ndjekur procedurat ligjore të kërkuara përpara pezullimit të financimeve, përfshirë njoftimin zyrtar për universitetin dhe Kongresin.

“Këto kërkesa të gjera por të paqarta nuk janë masa ligjore për të korrigjuar ndonjë shkelje. Ato janë përpjekje të hapura për t’i imponuar Universitetit të Harvardit qëndrime politike dhe ideologjike, dhe për ta detyruar atë të ndëshkojë mendimet e papëlqyera nga administrata,” thuhet në dokumentet gjyqësore.