Carlo Acutis, një djalosh italian i lindur në Britani, i cili ndërtoi faqe interneti për të përhapur besimin e tij, do shpallet shenjtori i parë i lindur pas vitit 1980, duke e ngritur atë në të njëjtin nivel si Nënë Tereza dhe Françesku i Asisit.
Nuk ka dyshim se ai ishte i veçantë, tha nëna e tij Antonia Salzano Acutis për Reuters. Por në shumë mënyra, tha ajo, ai ishte si çdo adoleshent tjetër, shkruan Reuters.
Acutis, i cili mësoi disa gjuhë kodimi kompjuterik dhe zhvilloi faqe interneti për famullinë e tij dhe Kishën më gjerë, vdiq nga leuçemia në moshën 15-vjeçare në vitin 2006.
Ndërsa reputacioni i tij për përkushtimin ndaj besimit është rritur dhe ai u fut në rrugën zyrtare drejt shenjtërimit, trupi i tij u zhvendos në qytetin kodrinor të Asisit në Italinë qendrore, në përputhje me dëshirat e tij të fundit.
Atje, ai u varros me një kallëp dylli, të vendosur mbi trupin e tij, i veshur me xhinse, bluzë sportive dhe atlete. Që atëherë, turmat janë mbledhur në arkivolin e tij.
Dhjetëra mijëra të tjerë pritet të marrin pjesë në shërbimin e shenjtërimit në Sheshin e Shën Pjetrit më 27 prill. Zyrtarët e Vatikanit shpresojnë se Papa Françesku, i cili ende po shërohet nga një periudhë e rëndë e pneumonisë së dyfishtë, do kryesojë meshën.
Por, larg ceremonisë dhe nderimit, thelbi i thirrjes së tij ishte se ai jetoi të njëjtën jetë si të tjerët që ishin adoleshentë në vitet 2000, duke luftuar për t’u përshtatur në shkollë, tha nëna e tij.
“Karlo ishte një fëmijë i zakonshëm si të tjerët. Ai luante, kishte miq dhe shkonte në shkollë. Por cilësia e tij e jashtëzakonshme ishte fakti që ai hapi derën e zemrës së tij ndaj Jezusit dhe e vuri Jezusin në vendin e parë në jetën e tij.”
“Ai e përdori këtë aftësi për të përhapur lajmin e mirë, Ungjillin,” shtoi ajo.
“Ai dëshironte t’i ndihmonte njerëzit që të kishin më shumë besim, të kuptonin se ekziston një jetë e përtejme, se ne jemi (pelegrinët) në këtë botë.”
Ajo tha se djali i saj ishte i përkushtuar për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ai u kërkoi prindërve të tij që të dhuronin për të varfërit.
“Ai ishte shumë i ashpër me veten…Po të doja të blija dy palë këpucë, më thoshte jo, një palë më mjaftojnë.”
Mrekullitë, lutjet
Reputacioni i Acutis u rrit më tej me regjistrimin e mrekullive të raportuara pas vdekjes së tij dhe që i atribuohen ndërmjetësimit të tij me Perëndinë.
Zyrtarët e kishës thonë se ishte shërimi i një djali brazilian 4-vjeçar me një keqformim të rëndë të pankreasit dhe i një gruaje 21-vjeçare nga Kosta Rika, e cila ishte afër vdekjes pas një aksidenti me biçikletë.
Nënat e djalit dhe gruas i ishin lutur të dyja Acutis për ndihmë, thanë autoritetet e Vatikanit.
“Bota po shfaq interesim të madh për këtë djalë të ri,” tha peshkopi Domenico Sorrentino, i cili drejton dioqezën katolike të Asisit.
“Kur jemi vërtet të bindur se jemi të shpëtuar nga Jezusi, duhet të jemi të gëzuar, duhet të jemi të lumtur”, tha Sorrentino për Reuters.
“Acutis arrin t’u jape të rinjve këtë përfytyrim të vërtetë të krishterë.”
Reliket e supozuara të Acutis – të përshkruara si pjesë të rrobave të tij dhe madje edhe të trupit të tij – kanë filluar të shfaqen në internet, disa prej tyre në shitje në faqet e ankandeve duke përfshirë eBay.
Sorrentino i denoncoi shitjet si “të tmerrshme” dhe tha se i ka kërkuar policisë që të konfiskojë artikujt e listuar.