Gjykata e Sarandës ka rrëzuar kërkesën e Aleksandër Balës, 55 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg për pjesëmarrje në “Masakrën e Qafë-Gjashtës”, i cili kërkonte parashkrimin e vendimit penal ndaj tij. Bala pretendonte se kishin kaluar 10 vjet nga hyrja në fuqi e vendimit dhe se dënimi i tij duhej të konsiderohej i parashkruar.
Pas një serie kompetencash të ndara mes Gjykatës së Sarandës, GJKKO dhe Gjykatës së Lartë, më 14 prill 2025, Gjykata e Sarandës vendosi përfundimisht rrëzimin e kërkesës. Sipas vendimit, për parashkrimin e dënimit 15-vjeçar kërkohet një afat 20-vjeçar dhe ky afat nuk ka përfunduar ende. Gjykata theksoi se si datë për llogaritjen e afatit merret vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Lartë më 13 prill 2014.
Për herë të parë, vendimi i gjykatës zbulon arsyen zyrtare pse Bala nuk është ekstraduar nga Greqia. Këshilli i Gjykatës së Apelit të Pireut kishte refuzuar ekstradimin me argumentin se ekzistonte rreziku që Bala të përndiqej për vepra të tjera, jashtë atyre për të cilat ishte kërkuar, përfshirë veprimtari të mundshme të karakterit kombëtar apo fetar gjatë trazirave të viteve 1997-1998.
Ngjarja tragjike ndodhi më 4 mars 1997, kur u vra dhe u dogj oficeri i policisë Gjergj Mehmeti, u rrëmbye dhe torturua oficeri Eduard Aliaj, dhe u tentua vrasja e dy oficerëve të tjerë. Për këtë ngjarje janë dënuar disa persona, disa prej të cilëve kanë kryer dënimin, ndërsa disa të tjerë, përfshirë Aleksandër Balën, vijojnë të jenë në kërkim.
Të gjithë personat e kërkuar janë arrestuar në Greqi në kohë të ndryshme, por autoritetet greke kanë refuzuar ekstradimin e tyre, ndërsa Bala vijon të jetë i lirë në këtë shtet.
Dënimet për “Masakrën e Qafë-Gjashtës”:
- Vladimir Sinani – 18 vjet burg (e ka kryer)
- Nestor Sinani – 15 vjet burg (e ka kryer)
- Aleksandër Bala – 15 vjet burg (në kërkim)
- Alqi Paguni – 15 vjet burg (në kërkim)
- Edmond Sejko – 6 vjet burg (e ka kryer)
- Mikel/Flamur/Vladimir Këndezi – 15 vjet burg (në kërkim)
- Arben Këndezi – 16 vjet burg (në kërkim)
- Agron Qurku – 16 vjet burg (në kërkim)