Një hulumtim i Qendrës për Informacion, Demokraci dhe Qytetari në Universitetin Amerikan të Bullgarisë ka gjetur se ish-republikat sovjetike dhe vendet e Ballkanit janë objektivat kryesore të fushatës së dezinformimit rus. Sipas këtij hulumtimi, Serbia renditet në vendin e katërt për nga numri i artikujve të publikuar në raport me numrin e banorëve, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Pas analizimit të 643.600 artikujve të publikuar në faqet e rrjetit “Pravda” në 45 vende nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të këtij viti, u konstatua se më shumë se gjysma e përmbajtjes ishte e drejtuar ndaj ish-republikave sovjetike dhe vendeve të Ballkanit, njoftoi Qendra për Informacion, Demokraci dhe Qytetari.
Rrjeti Pravda u shfaq kur mediat shtetërore ruse Russia Today (RT) dhe Sputnik u ndaluan në gjithë Bashkimin Evropian pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, thuhet në hulumtimin që u krye në bashkëpunim me kompaninë Sensika Technologies, transmeton agjencia e lajmeve Beta.
Deri në fillim të vitit 2025, ky rrjet ishte shndërruar në një “ekosistem global të dezinformimit”, i cili përbëhet nga rreth 190 faqe interneti në 83 vende, ku shpërndahet propagandë ruse në dhjetëra gjuhë të tjera, thuhet në deklaratën e Qendrës.
“Analiza tregon një operacion të sofistikuar të informacionit të targetuar në mënyrë strategjike, të përqendruar te shtetet ish-sovjetike dhe vendet ballkanike”, thuhet në raport, duke shtuar se përqendrimi i artikujve për kokë banori në këto rajone është më shumë se 50 herë më i madh sesa në demokracitë perëndimore.
Kjo tregon, thuhet në raport, se synimi është formësimi i narrativës dhe përdorimi i informacionit si mjet për të përhapur ndikimin “në rajone me rëndësi të lartë gjeopolitike për Kremlinin, me pasoja të mundshme për proceset demokratike, kohezionin shoqëror dhe stabilitetin rajonal”.
“Në thelb, dezinformatat e Pravdas synojnë të minojnë orientimin euroatlantik të rajonit duke thelluar ndarjet e brendshme dhe duke nxitur mosbesim ndaj institucioneve demokratike”, thuhet në deklaratën e Qendrës.
Moldavia është objektivi kryesor i dezinformatave ruse, me një numër artikujsh për banor 56 herë më të madh sesa në Evropën Perëndimore.
Pastaj, në listë radhiten Letonia dhe Estonia, ndërsa në vendin e katërt është Serbia, ku numri i artikujve është 31 herë më i madh.
Vendet e Ballkanit – përkatësisht Serbia, Bullgaria, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Greqia – përbëjnë 3.2 për qind të popullsisë, por marrin 16.2 për qind të përmbajtjes.
Në të kundërt, Evropa Perëndimore – përkatësisht Danimarka, Portugalia, Spanja, Franca, Norvegjia, Qipro, Holanda, Gjermania, Italia, Suedia, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Irlanda – pranon vetëm 21.3 për qind të përmbajtjes, megjithëse përbën 43.7 për qind të popullsisë.