Presidenti francez Emmanuel Macron i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të ndalojë vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës, duke theksuar se vetëm një armëpushim mund të çojë drejt lirimit të pengjeve të mbetura, përcjell DW. Macron e përsëriti këtë mesazh gjatë një bisede telefonike me Netanyahun, ku kërkoi gjithashtu hapjen e të gjitha pikave të kalimit për ndihma humanitare në Gaza.
Nga ana tjetër, Netanyahu u shpreh i prerë në kundërshtimin e krijimit të një shteti palestinez, duke e quajtur një “shpërblim të madh për terrorizmin”.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara raportuan se që prej marrëveshjes së armëpushimit më 27 nëntor me Hezbollahun, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë të paktën 71 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. OKB dënoi gjithashtu sulmin izraelit mbi spitalin Al-Ahli në Gaza, që ka çuar në mbylljen e repartit të urgjencës dhe përkeqësimin e situatës së ndihmës mjekësore në territor.