Mentor Kikia: Presioni politik ndaj SPAK-ut, më i rrezikshëm se ai i krimit


Analisti Mentor Kikia u shpreh se presioni i politikës ndaj SPAK-ut është më i rrezikshëm sesa ai që vjen nga krimi. Sipas tij, pas zgjedhjeve të 11 majit, institucioni i drejtësisë pritet të përballet me sfida të reja dhe të forta.

“Drejtësia në Shqipëri nuk ka mbështetje nga askush. Askush nuk i shtron tapetin e kuq. Prokurorët dhe gjyqtarët janë në një luftë të vështirë dhe vazhdimisht të ekspozuar ndaj shantazheve,” tha Kikia.

Ai nënvizoi se vendet që kanë arritur suksese në luftën kundër mafias kanë pasur individë me guxim dhe vendosmëri, të cilët shpesh janë kthyer në heronj. “Më shumë se notat në diplomë, prokurorët duhet të kenë zemër të fortë. Ka raste kur prokurorët janë tërhequr nga frika, ndaj është jetike që ata të kenë mbrojtje të plotë nga shteti,” theksoi Kikia.

Ai shtoi gjithashtu se përveç rrezikut që vjen nga krimi, presioni politik është edhe më i rrezikshëm:
“Mendoj se presioni që politika po ushtron ndaj SPAK-ut është më i rrezikshëm sesa ai i krimit të organizuar.”

Sipas analistit, pas zgjedhjeve të 11 majit, SPAK do të përballet me një nga periudhat më të vështira në historinë e tij, ku qëndrueshmëria dhe pavarësia do të jenë në provë të vërtetë.