Sulm nga brenda institucioneve e ka quajtur kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndërprerjen e seancës për konstituimin e Kuvendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shkruan se deputetët e opozitës, PDK-së, LDK-së e AAK-së kishin kryer një sulm kundër zgjedhjeve demokratike.
“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkruan Kurti në Facebook.