Plagosje me thikë në Dibër dhe vjedhje në Vlorë, dy të arrestuar


Policia e Dibrës dhe ajo e Vlorës kanë finalizuar me sukses dy operacione të veçanta, duke vënë në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale të rënda.

Në Dibër, një 19-vjeçar me inicialet E.E. u arrestua pas dy ditësh në kërkim, pasi dyshohet se plagosi me mjet prerës një 20-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta në lagjen “Dobrovë” të Peshkopisë.

Policia bëri me dije se tre persona të tjerë janë proceduar penalisht për moskallëzim krimi, ndërsa i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

“Si rezultat i kontrolleve intensive, të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, u kap dhe u ndalua shtetasi E. E., 19 vjeç, banues në Peshkopi.

Ai u shpall në kërkim më datë 13.04.2025, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lagjen “Dobrovë”, Peshkopi, ka goditur me mjet prerës, shtetasin E. Sh., 20 vjeç”, informoi sot policia.

Dje, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për moskallëzim të këtij krimi. Ndërkaq, i dëmtuar vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”, thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ndërkohë, në Vlorë është arrestuar në flagrancë 53-vjeçari Robert Pekmezi, i cili kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të kryer një tjetër vjedhje.

Ai u kap nga policia teksa po largohej me një furgon të vjedhur në fshatin Nartë. Operacioni u zhvillua në kuadër të planit të koduar “Again”.

Njoftimi:

“Pas informacioneve të siguara, në lidhje me një rast të dyshuar vjedhjeje të një automjeti në fshatin Nartë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë organizuar menjëherë punën me qëllim kapjen e autorit. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të patrullave të Policisë, u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit R. P., 53 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte duke larguar mjetin tip furgon të vjedhur.

Policia po vijon punën hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për të verifikuar nëse ky shtetas është autor edhe i vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë në qytetin e Vlorës dhe në fshatrat përreth”, sqaruan uniformat blu.

Dosja i kaloi për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Vlorës, teksa u rikthye në qeli për akuzën e vjedhjes në mënyrë të përsëritur.