“Në kohën e bufit vriteshin njerëz nga dritaret këtu”- Rama: Luli më këndonte himnin nga çadra


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale se drejtësia në Shqipëri sot është më e barabartë se kurrë më parë dhe se kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformës së ndërmarrë nga qeveria e tij.

Ai kujtoi ngjarjen e 21 Janarit, duke theksuar se “në kohën e bufit” (duke iu referuar Sali Berishës), qytetarët vriteshin përpara Kryeministrisë dhe prokurorët që tentonin të hetonin, fyheshin publikisht.

Rama sulmoi edhe Lulzim Bashën, duke kujtuar qëndrimin e tij kundër reformës në drejtësi: “Luli i 7×7 këndonte himnin nga çadra, sepse nuk donte të votonte vettingun.”

Kreu i qeverisë theksoi se sot nuk ka më rëndësi mbiemri apo pushteti që ke – “nëse drejtësia të troket në derë, je i barabartë me të tjerët”.

Ai vlerësoi kreun e SPAK Altin Dumanin si figurë të ndershme dhe shembull të ndryshimit që ka ndodhur në sistem.

“E para nuk rri tërë ditën se po të shikosh edhe postimet këtu, e arrin kollaj konkluzionin se tërë ditën merren me shumëcka tjetër.

Por ama nëse prekesh se në ato pak minuta që merrem me bufin e Lulin tërhiqet vëmendja dhe nuk e di dmth, cfarë ideje të krijohet më vjen shumë keq.

E dyta, kjo e gjysmës së qeverisë në burg është qesharake. Nuk kam në burg asnjë anëtar të qeverisë prej shumë kohe dhe në fakt po të shikosh të gjithë ata që janë marrë në hetim apo janë cuar në gjykim nuk kanë qenë anëtarë qeveria kur ka ndodhur.

Kam 12 vjet këtu, nuk duhet të harroni se nëse juve ju erdhi dita të flisni për drejtësi, për ministra, për kryetar bashkish, për persona të lidhur me pushtetin politik por edhe për ish president dhe ish kryeministra, kjo nuk është ditë që erdhi nga qielli, por që e solli PS me mua në krye.

Kjo është shprehja e vullnetit tonë absolut për të sjellë në Shqipëri atë që shqiptarët s’e kanë pasur kurrë barazinë para ligjit.

Asnjëherë s’ka pasur Shqipëria dhe shqiptari barazi para ligjit. Nga 1912 deri para pak vitesh s’është bërë përpjekje që barazia para ligjit të kalojë në nivelin që të gjithë ta dinë, se s’ka rëndësi si quhesh, nëse je i pasur apo i varfër, nëse ke pushtet apo jo.

Nëse të troket te dera drejtësia je i barabartë me të tjerët. Ka ndodhur në kohën e bufit ku vriteshin njerëz nga dritaret e kësaj zyre këtu poshtë dhe prokuroria që tentonte për të marrë në pyetje drejtuesit e forcave të rendit, pagëzohej nga kjo godinë lavire bulevardi që të merrte njeri në pyetje.

Kjo që them është realitet i para një dekade dhe ky i ka bërë këto, po thotë hajde të bëjmë Shqipërinë madhështore.

Po Luli i 7×7 ishte kështu poshtë, ma këndonte himnin mbyllur në çadër se  nuk donte të votonte vettingun dhe reformën në drejtësi.

Sot flasin e tregojnë me gisht, numërojnë njerëzit që thirrën në drejtësi dhe kujtojnë se më impresionojnë mua dhe terrorisin shumicën e shqiptarëve që është shumë e qartë, që nuk do të kishte këtu të tilla gjëra nëse nuk do të isha në këtë zyrë dhe PS në qeveri.

Altin Dumani është burrë i zoti dhe i ndershëm, prej shumë vitesh në sistem. Aty ishte Dumani prokuror? Kishte thirrur ndonjëherë njeri në pushtet?

Kishte parë njeri me pushtet të kalonte në Prokurori me të gjitha kamerat si në festivalin e Kanës? Nga erdhi Dumani? Nga hëna, jo!

Prokuror me vite të tëra por nuk kishte shpatën sepse ishte këtu te kjo zyra këtu. Ishte si pajisje këtu në zyrë që e përcillnin njëri pas tjetrit të gjithë nga qeveria e parë, të e dyta, e treta, më pas te mbreti, te diktatori dhe më pas te presidenti, bufi dmth kur ishte president që mori e futi në burg kundërshtarin e tij politik, kryetarin e PS, përmes një drejtësie kukull dhe shpatën që kishte këtu. Bufi thotë se  do të shkrijë SPAK me 12 Maj, në fakt do të jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës për atë që do të ndodhë kur të fillojë e të dalë Noc Rroku, për bufin e për të gjithë qua qua qua-të.”, tha Rama.