Nga një takim me të rinjtë në Kamëz, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli gjerësisht për përfitimet që do të sillte anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke u ndalur veçanërisht te pasaporta europiane.
Sipas Ramës, kjo pasaportë nuk është thjesht një dokument udhëtimi që zëvendëson të vjetrin, por përfaqëson një status të ri për të gjithë shqiptarët.
“Dua t’iu them se ajo pasaporta aty është një dokument që nuk është një dokument udhëtimi, i ri që zëvendëson të vjetrin, që ka të shkruar Bashkimi Europian e që na jep mundësinë për të shkuar atje. Është diçka krejt tjetër, kjo pasaportë është një status i ri për krejt shqiptarët”, tha Rama.
Ai theksoi se me pasaportën aktuale, shqiptarët ndonëse kanë liri lëvizjeje pa vizë në hapësirën Schengen, nuk kanë të drejtën e qëndrimit dhe as të njëjtin trajtim me qytetarët e BE-së.
“Me pasaportën që kemi sot, ne hymë në çdo kufi të BE nga një korridor tjetër. Thonë: dil pak këtej, futu në radhë, shkon te polici, fillon pyetjet, ku do shkosh, sa lek ke me vete, kush të ka ftuar, sa do rrish. Vjen pyetja e tmerrshme: kur do ikësh, ndërkohë ti sapo ke vajtur. Sepse ne kemi liri lëvizje pa vizë, por nuk kemi liri qëndrimi”, u shpreh ai.
Më tej, Rama solli shembuj konkretë për të treguar se si qytetarët shqiptarë trajtohen si të huaj në BE, ndërkohë që pasaporta europiane do t’i barazonte me qytetarët e vendeve anëtare.
“Nëse doni të studioni në BE, jeni të huaj. Duhet të gjeni rrugën përmes kuotave për studentë të huaj, të paguani tarifa të tjera nga ato që paguajnë studentët e BE. Nëse ju duhet ndihmë mjekësore, nuk merrni të njëjtin trajtim si të tjerët. Nëse doni të kërkoni një punë, nuk keni mundësi fare ta kërkoni, se nuk keni leje pune. Duhet ose të kërkoni azil. Me atë pasaportë mund të kërkoni punë ku të doni, mund të ktheheni prapë, mund të shkoni prapë”.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama theksoi:“BE bëhet njësoj si Shqipëria për secilin nga ne.”