Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me të rinjtë në Kamëz, ku u shoqërua nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. Në fjalën e saj, Spiropali vlerësoi punën e bërë në këtë zonë dhe rolin transformues të qeverisë dhe kryebashkiakut aktual Rakip Suli.
“Ju e dini mirë se si ishte Paskuqani dhe Kamza dikur. Sot, falë punës së Rakip Sulit dhe mbështetjes së Kryeministrit Rama, janë ndërtuar 165 kilometra rrugë dhe mbi 95% e territorit është pajisur me rrjet ujësjellësi dhe kanalizimesh. Nga një zonë periferike pa infrastrukturë, Kamza është kthyer në një bashki moderne, me investime në shkolla, rrugë dhe hapësira publike,” u shpreh Spiropali.
Duke ironizuar opozitën, ajo shtoi: “Madhështorët dhe qumështorët duan të na bindin se deti bëhet kos dhe liqeni i Paskuqanit pilaf, por nuk mund të mashtrojnë të rinjtë me slogane bosh. Ne kemi ofruar punë dhe vizion për 12 vite, ndaj Shqipëria sot ka zë dhe dinjitet në tryeza ndërkombëtare – vetëm dje u hap një grup-kapitull i ri në negociatat me BE-në.”
Spiropali theksoi gjithashtu se sot është krenari të thuash se je nga Kamza apo Bathorja, pasi këto zona kanë përjetuar një ndryshim të dukshëm që, sipas saj, duhet të vazhdojë me mbështetjen për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.