Stuhia e rërës në Irak, mbi 1,000 persona me probleme në frymëmarrje


Më shumë se 1,000 persona janë prekur nga probleme të rënda të frymëmarrjes pasi një stuhi e fuqishme rëre ka përfshirë pjesët qendrore dhe jugore të Irakut, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të vendit.

Stuhia, e cila ka mbuluar rajonet me një re të dendur portokalli pluhuri, ka shkaktuar një emergjencë shëndetësore në disa provinca dhe ka detyruar autoritetet të pezullojnë fluturimet në aeroportet kryesore.

Sipas një zyrtari në provincën Muthanna, të paktën 700 persona janë paraqitur në spital me simptoma të mbytjes dhe vështirësi në frymëmarrje.

Në provincën Najaf, mbi 250 persona janë trajtuar për probleme të ngjashme, ndërsa në Diwaniyah janë shënuar të paktën 322 raste, përfshirë edhe fëmijë.

Raporte të ngjashme vijnë edhe nga provincat Dhi Qar dhe Basra, ku rreth 530 qytetarë janë paraqitur në qendrat shëndetësore për shkak të ndikimeve të stuhisë.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë qytete të mbuluara nga një mjegull e trashë me ngjyrë portokalli, ndërsa këmbësorët dhe oficerët e policisë shihen duke mbajtur maska për fytyrën për të shmangur thithjen e pluhurit të dëmshëm.

Mjetet e emergjencës dhe paramedikët janë vendosur në rrugët kryesore për të ndihmuar banorët që ndihen të mbytur apo të sëmurë.

Autoritetet meteorologjike lokale kanë bërë të ditur se kushtet atmosferike pritet të përmirësohen gradualisht deri të martën në mëngjes.

Megjithatë, ndërkohë, aeroportet në provincat Najaf dhe Basra janë mbyllur përkohësisht për shkak të pamundësisë së operimit në kushte të ulëta dukshmërie, e cila ka rënë në më pak se një kilometër.

Ministria irakiane e Mjedisit ka paralajmëruar se stuhitë e rërës, tashmë të zakonshme në këtë vend, do të shtohen në frekuencë dhe intensitet si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Iraku renditet si një nga pesë vendet më të cenueshme në botë ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, për shkak të përballjes së vazhdueshme me thatësirë, mungesë uji, temperatura ekstreme dhe stuhi të shpeshta pluhuri./BBC