Berisha: Prodhimet serbe kanë subvencione 8 herë më shumë se ne, shkak Ballkani i Hapur


Në një takim elektoral të mbajtur sot në Vaqarr, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi programin e tij për zhvillimin e fshatit dhe adresoi kritika të forta ndaj qeverisë aktuale. Ai theksoi se reforma territoriale ka dëmtuar rëndë shërbimet për zonat rurale, duke premtuar rikthimin e investimeve në infrastrukturë dhe shërbime bazë për fshatin.

“Me reformën territoriale, Rama i dha një goditje qeverisjes së qytetarëve, e cila kishte misione të rëndsishme për zhvillimin e zonave rurale. Gjatë viteve 2005-2013 ne kishim një raport me komunat e vendit: bëni ju projektet, ne t’ju financojmë! Dhe funksionoi”, u shpreh Berisha.

Berisha u angazhua për pesëfishimin e subvencioneve për fermerët, duke theksuar se çdo vend i zhvilluar mbështet financiarisht prodhuesit e tij. Ai akuzoi qeverinë për hapjen e tregut ndaj prodhimeve serbe, të subvencionuara shumë më tepër se ato vendase, çka ka çuar sipas tij në falimentimin e fermerëve shqiptarë.

“Ky hapi kufijtë për Serbinë, për Ballkanin e Hapur. Prodhimet serbe, që kanë subvencione 8 herë më shumë se ne, normalisht që do kenë prioritete. Kjo bëri që malli i vendit të kalbet dhe fermeri të falimentojë e të largohet. Subvencionet do i rrisim me 5 herë,” tha ndër të tjera.

Në lidhje me pensionistët, Berisha kritikoi qeverinë për nivelin e ulët të pensioneve në Shqipëri, duke e krahasuar me vendet fqinje. Ai premtoi rritjen e pensioneve në 200 euro dhe ofrimin e një minimumi jetik për qytetarët në varfëri ekstreme.