Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Fier, ku disa prej hetuesve të saj dhe oficerëve të Policisë së Shtetit u sulmuan nga të afërm të ish-kryebashkiakut Agron Kapllanaj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20 në aksin Fier–Patos, ndërsa forcat ligjzbatuese ishin në terren për të kryer veprime hetimore të deleguara në kuadër të një çështjeje për korrupsion dhe krim të organizuar. Persona të përfshirë në sulm janë identifikuar dhe shoqëruar në Policinë e Fierit.
BKH thekson se veprimet e ndërmarra ishin në përputhje të plotë me ligjin, nën vëzhgimin e prokurorëve të posaçëm të SPAK.
Reagimi i BKH:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.
Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos.
Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.