Celibashi: Nisi dërgimi i fletëve të votimit për emigrantët, mbi 90 mijë zarfe të shpërndara


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, njoftoi sot se ka nisur zyrtarisht procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit për emigrantët shqiptarë, të cilët për herë të parë do të mund të votojnë nga vendet ku jetojnë.

Në një deklaratë për mediat, Celibashi tha se janë dërguar rreth 90 mijë zarfe, që përfaqësojnë mbi 30% të votuesve të regjistruar jashtë vendit. Ai bëri të ditur se vendet me shpërndarjen më të madhe janë Italia, Greqia dhe Gjermania, dhe se synimi është që procesi të përfundojë brenda dy ditësh.

Aktualisht, 111 votues kanë kryer procesin e votimit dhe kanë njoftuar postierin e DHL për tërheqjen e zarfeve, të cilat janë në rrugë drejt KQZ-së. Celibashi theksoi se votimi konsiderohet i kryer që në momentin kur një votues e merr zarfin dhe e kthen mbrapsht me postë.

“Shtete me shpërndarjen më të madh të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania. Duam që procesin ta përfundojmë brenda 2 ditëve.

Sipas raporteve që kemi marrë nga shërbimi postar, votuesi i parë të cilit i ka mbërritur zarfi, i përket qarkut Dibër dhe është në gjermani, i ka mbërritur në orën 07:15 minuta”, tha Celibashi.  

“Janë në mbërritje për në KQZ, por akoma në trakun e DHL, 11 zarfë. Janë 111 votues që kanë votuar dhe kanë njoftuar postierin e DHL për ta tërhequr ky zarf nga DHL.

Me pak fjalë votimi i zgjedhësve shqiptarë nga jashtëm tashmë konsiderohet i kryer, që në momentin kur njëri prej votuesve e ka marrë zarfin dhe e ka kthyer mbrapsht.  

Ndoshta sot pasdite, ose nga darka do të mbërrijnë të paktën këto 111 zarfe që janë nisur.

Do jetë proces i vazhdueshëm dhe me siguri që në fund të këtij muaji, ose në fillim të muajit maj,  volumi i mbërritjeve do të jetë mijëra.

Kemi shpërndarë 36% të dërgesave postare në kohë rekord”, tha Celibashi.